Këshilltari i Thaçit: Përmbajtja e letrave të Kurtit përbën skandal diplomatik

Prishtinë | 09 Maj 2020 | 18:43 | Nga Ekonomia Online

Artan Behrami, këshilltar politik i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka akuzuar kryeministrin Kurti se në letrat e tij amniston fushatën serbe për çnjohje dhe se përmbajtja e këtyre letrave përbën një skandal diplomatik.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai thotë se këto letra, të dërguara në mënyrë klandestine në kryeqytetet e botës, bazohen në paranoja dhe flasin ekskluzivisht për armiqtë e brendshëm të Kurtit, të cilët synojnë rrënimin dhe përmbysjen e tij.

“Politika e Jashtme është interes nacional, është mishërim i politikës së Brendshme dhe reflektim i unitetit politik. Por, kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, atë e ka shndërruar në interes personal, në mishërim të ideologjisë dogmatike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në reflektim të përçarjes politike”, ka shkruar Behrami.

Tutje Behrami vazhdon se në këto letra, Kurti amniston fushatën serbe për çnjohje dhe përpjekjet për destabilizim të rajonit nga Kina dhe Rusia. Përmbajtja e këtyre letrave përbën një skandal diplomatik, një precedent të rëndë dhe, për shumë përfaqësues të shteteve që i lexojnë ato, një paradoks, të cilin po e përjetojnë për herë të parë.

Ky është postimi i plotë i Artan Behramit:

Politika e Jashtme është interes nacional, është mishërim i politikës së Brendshme dhe reflektim i unitetit politik. Por, kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, atë e ka shndërruar në interes personal, në mishërim të ideologjisë dogmatike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në reflektim të përçarjes politike.

Diplomacinë dhe politikën e Jashtme e ka reduktuar në disa kilometra katrorë, nga ‘Kafe Unioni’ deri te ‘Papilloni’, duke e konvertuar atë në mekanizëm të thashethemeve. Kjo mendësi më së miri fiqirohet nëse e lexon përmbajtjen e letrave që Kurti ua dërgon kryeqyteteve të botës.

Në këto letra, Kurti amniston fushatën serbe për çnjohje dhe përpjekjet për destabilizim të rajonit nga Kina dhe Rusia. Përmbajtja e këtyre letrave përbën një skandal diplomatik, një precedent të rëndë dhe, për shumë përfaqësues të shteteve që i lexojnë ato, një paradoks, të cilin po e përjetojnë për herë të parë.

Që nga viti 2008, diplomatët janë mësuar të pranojnë ‘Position Papers’ për fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, për mbështetje të fushatës për njohje, të mbështetjes ekonomike e politike, për forcimin e procesit të integrimeve dhe për të kundërshtuar politikën e Serbisë kundër Kosovës.

Ndërsa, letrat e Kurtit nuk përmbajnë asnjë rresht nga këto! Këto letra, të dërguara në mënyrë klandestine në kryeqytetet e botës bazohen në paranoja dhe flasin ekskluzivisht për armiqtë e brendshëm të Kurti, të cilët synojnë rrënimin dhe përmbysjen e tij!
Pa ia kërkuar askush, Kurti në këto letra u rrëfehet liderëve botërorë sesi ai është zgjidhja e krejt problemeve, derisa kundërshtarët politikë janë problemi për të gjetur të gjitha zgjidhjet!

Është hera e parë që një kryeministër nuk merret me politikën e Jashtme në komunikim ndërkombëtar, një kryeministër që nuk kërkon njohjen nga shtetet e as anëtarësime, bile as që e kundërshton kampanjën e Serbisë.

Përkundrazi, në këto letra, Kurti udhëheq një kampanjë të dezinformimit për gjendjen në Kosovë dhe për oponentët politikë!

Albin, unë i kam lexuar të gjitha letrat – është koha që ato t’i lexojnë edhe qytetarët e Kosovës.

Të ngjashme