Prokuroria në Francë çeli një hetim ndaj shefit të kabinetit të presidentit Emmanuel Macron, nën akuzën e shkeljes së rregullave të konfliktit të interesit, pasi ka punuar njëkohësisht për shtetin dhe një kompani zvicerano-italiane transporti.
Hetimi erdhi pasi grupi kundër mitmarrjes, “Anticor” depozitoi një ankesë, ku Alexis Kohler akuzohej për ndikim dhe shkelje të rregullave në fuqi për shkak të lidhjeve të tij me “Mediterranean Shipping Company”.
Hetimi do të përpiqet të verifikojë nëse pretendimet e ngritura janë të vërteta. Vet Kohler nuk ka bërë asnjë koment, por pallati “Elize” i doli në mbrojtje, duke sqaruar se nuk ka pasur shkelje dhe se këshilltari i presidentit do të bashkëpunojë plotësisht me drejtësinë.
Kohler mbante një post të lartë drejtues në Ministrinë e Financave, nga e cila u largua në vitin 2016, kur Macron dha dorëheqjen si ministër Ekonomie.
Pas kësaj, ai u zhvendos në Gjenevë për të marrë një pozicion në bordin e “MSC”, me të cilën familja e vet ka lidhje të hershme. Nëntë muaj më vonë, Macron i kërkoi të bëhej pjesë e stafit të tij.
Ligjet franceze diktojnë se, përpara se t’i rikthehen administratës publike, nëpunësit civilë duhet ta ngrijnë karrierën e tyre në këtë sektor për një numër të kufizuar vitesh, nëse duan të punojnë në atë privat.