Kështu u tërhoqën 75 milionë eurot e pensioneve

Prishtinë | 24 Tet 2016 | 14:23 | Nga

Investimi misterioz i 75 milionë eurove, para të pensioneve kosovarë, në Fondin “Fortis”, ka lënë të hapura shumë dilema.

Përveç se është vlerësuar si investim i dyshimtë, nga ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, e dyshimtë duket të jetë edhe tërheqja e të gjitha mjeteve në vitin 2012.

Dy vite pasi “Fortis”, ndryshon pronësinë në BNP Paribas.

Gazeta Fjala, ka gjetur në raportin e Trustit të Kursimeve Pensionale, tani Fondi i Kursimeve Pensionale (FKPK), se në fund të vitit 2011 Trusti ka pasur të investuara rreth 64 milionë euro në këtë fond, nga rreth 75 milionë euro që kishte një vit më parë.

“Kjo pasi Trusti vendosi të tërheqë 12 milionë euro mjete të investuara gjatë vitit 2011 dhe t’i investojë në instrumente të tjera financiare, me qëllim të kthimit më të lartë në investime”, thuhet në raport ku përmendet se kthimi nga investimet me këtë fond për vitin 2011 ka qenë dyfish më i lartë se sa në një vit më parë dhe arriti në 0.99% nga 0.49%.

Gazeta Fjala ka provuar të mësoj më tepër për këtë tërheqje nga zyrtarët e këtij institucioni, por që nga raportimi për investimin e dyshimtë të Trustit në fondin që po falimentonte, ata kanë heshtur.

Ndërkaq, në BNP Paribas Fund, i kanë thënë gazetës se për këtë janë përgjegjës drejtuesit kosovarë, të cilët kanë kompetencë të vendosin për investimet e mjeteve.

 Tërheqja misterioze e 64 milionë eurove

Ata nuk japin shpjegime as për vitin 2012, kur e tërë shuma e investuar në Fortis, pastaj BNP Paribas Fund, tërhiqet për shkak të performancës së dobët të këtij fondi.

Paratë nga këtu investohen në institucione tjera financiare ndërkombëtare.

“…për shkak se këtij fondi që dikur paraqiste një instrument oportunistik për menaxhimin e keshit, i ishin zvogëluar mundësitë meqë vepronte në një treg me shumë pak pritje, së paku në afat të shkurtër dhe të mesëm”, thuhet në raportin vjetor të FKPK për vitin 2012.

Tërheqja e 64 milionë eurove në këtë vit, del në kundërshtim me deklarimet e zyrtarëve të FKPK-së ditë më parë pas publikimit të artikullit “Investimi 75 milionësh i Trustit në fondin pranë falimentimit” në Gazetën Fjala.

Trusti në atë kohë, patën thënë se ka rritur investimet në këtë fond të tregut të parasë së gatshme për arsye  të mbrojtjes së investimeve nga jostabiliteti i tregjeve dhe se në asnjë vit investimet përmes këtij fondi nuk kanë humbur vlerë, përkundrazi kanë qenë me fitime.

Megjithatë, ky investim ishte urdhëruar të hetohej nga ish-guvernatori Hashim Rexhepi, pasi  ne vitin 2010 kompania amë “Fortis” ku ishin investuar paratë, me të gjitha filialet dhe institucionet nën menaxhim të saj, u ble nga BNP Paribas për tu shpëtuar nga kriza financiare.

Por ky hetim nuk u krye kurrë. Derisa, Rexhepi do të arrestohej me një mal akuzash për keqpërdorime nga Policia e Kosovës. Pas qëndrimit katër muaj burgim dhe një gjykimi maratonik, Rexhepi u shpallë i pafajshëm nga të gjitha akuzat për të cilat ngarkohej.

Rexhepi thotë ta këtë nisur këtë hetim nën dyshimin se mund të jetë kurdisje e këshilltarit izraelit të kryeministrit Thaçi, Arie si dhe pas një takimi që kishte pasur me vet kryeministrin Thaçi në zyrën e këtij të fundit.

“Për habi, pas këtij takimi Trusti investoje rreth 75 milionë euro ne një fond të Belgjikës i quajtur “Fortis”, e cila ishte nën intervenimin e qeverisë belge me mjete emergjente për shkak te krizës qe e kishte goditur. Kurse disa muaj më vonë Besim Beqaj u emërua ministër i ekonomisë në qeveri”, rrëfen Rexhepi për Gazetën Fjala.

Në këtë takim temë diskutimi sipas Rexhepit ka qenë investimi i parave të trustit në bankat jashtë vendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme