Këta janë shqiptarët që po ndihmojnë pas vërshimeve në Houston

Prishtinë | 31 Gus 2017 | 09:50 | Nga

Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e amerikanëve gjatë luftës në Kosovë.

Dashuria e shqiptarëve për amerikanët nuk do shumë koment. Një gjë e tillë është dëshmuar edhe gjatë momenteve të vështira të ditëve të fundit për amerikanët me vërshimet në Houston.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka treguar për dy të rinj që po ndihmojnë amerikanët në Houston.

“Takojeni Mentor Fejzullahun. Mentori ka ardhur në Amerikë gjatë luftës së Kosovës, ai jeton në Houston të Teksasit”.

“Houston është përballur me situatë të vështirë si pasojë e uraganit Harvey. Si gjithmonë, katastrofat e këtyre përmasave vënë në pah humanitetin, kurajën dhe solidaritetin. Mbi të gjitha, kujdesin për njëri-tjetrin.Mentori ka kaluar ditët e fundit duke u përpjekur të shpëtojë jetët e njerëzve. Kur kam komunikuar me të, ai as nuk ma ka përmendur se po e bën një gjë të tillë. Këtë ma kanë treguar banorët e Houstonit. Nuk mund të isha më krenare për Mentorin”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

“Njiheni Arti Dinaj. Ai është 14 vjeçar. Ai ka lindur në SHBA, por prindërit e tij kanë ardhur në Amerikë gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitin 1999. Si nuk mund të ndihmojë njerëzit që kanë nevojë në Houston. Ata kanë ndihmuar prindërit dhe popullin tim kur ne kishim nevojë më së shumti. Krenare për Artin dhe prindërit e tij”, shkruan Çitaku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme