Më 22 mars do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ndërkohë Albanian Post ka mësuar emrat e ministrave të rinj të qeverisë “Kurti 2”.
Por, para votimit të qeverisë së ardhshme, fillimisht do të zgjedhet kryetari i parlamentit dhe ai pritet të jetë Glauk Konjufca, që dikur, për fare pak kohë, e kishte mbajtur të njëjtë pozitë.
Një nga zëvendësit e Albin Kurtit në Qeveri, do të emërohet, Besnik Bislimi, që nuk kishte kandiduar për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Pozita e Ministres së Punëve të Jashtme është rezervuar për një nga deputetet e Listës “Guxo” të Vjosa Osmanit.
Bëhet fjalë për Donika Gërvallën, ish-anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bija e veprimtarit, Jusuf Gërvalla.
Në ministrinë e Punëve të Brendshme, kthehet Xhelal Sveçla, por tashmë jo si zëvendësministër e as si ushtrues detyre i ministrit, por si ministër i ardhshëm.
Sveçla është një nga personat më të besueshëm të Kurtit dhe në qeverinë 50-ditëshe që Lëvizja Vetëvendosje e udhëhoqi në bashkëpunim me Lidhjen Demokratike, Sveçla ishte zëvendës i Agim Veliut në ministrinë e Brendshme.
Dikasterin e financave në qeverinë e ardhshme mësohet se do ta udhëheqë ish-deputeti Hekuran Murati, ndërkohë si ministre e Ekonomisë do të rikthehet Rozeta Hajdari.
Arben Vitia, një nga më të votuarit në zgjedhjet e kaluara do ta rimarr pozitën që e la kur u rrëzua qeveria e Kurtit.
Vitia sërish do të jetë Ministër i Shendetsisë.
Ai ishte përfolur edhe si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme.
Emri tjetër i ri në qeverinë “Kurti 2”, do të jetë Hajrulla Çeku. Ai pritet të emërohet Ministër i Kulturës.
Çeku ka përvojë në pozita ekzekutive, por jo në Kosovë. Ai ishte një nga kosovarët e përzgjedhur për qeverinë e Edi Ramës në Shqipëri, ku pati ushtruar funksionin e zëvendësministrit në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
Një ministri do t’i takojë komunitetit egjiptian, derisa një tjetër është e rezervuar për komunitetin serb. Ende nuk dihet se cilat ministri do të udhëhiqen nga këto dy pakica.
Votimi i kësaj përbërje qeveritare nuk besohet se do të ketë ndonjë problem të votohet në parlament, meqë Kurti tashmë ka siguruar votat për formimin e Qeverisë.
Para se të mbahen seanca konstituive, Kurti bashkë me Vjosa Osmanin, kanë filluar takimet me krerët e partive politike. Të gjithë ia kanë pranuar ftesat.
Ai veçse është takuar me Ramush Haradinajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Enver Hoxhajn e Partisë Demokratike të Kosovës. Të dy këta kanë thënë se do jenë përkrahës, porse kanë pohuar se do qëndrojnë në opozitë.
Takimi me kryetari e LDK-së do të mbahet të premten
Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit fituese ka dalë Lëvizjen Vetëvendosja me 50.28 % të votave. E dyta renditet PDK-ja me 17 %. LDK-ja me 12.73 % renditet partia e tretë. AAK-ja fitoi 7.12%. Lista Srpska ka fituar 10 vendet e rezervuara në parlamentin e Kosovës, ndërsa 10 vende u takojnë pakicave jo serbe.