Sot në qytetin e Pejës do të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Tashmë është bërë publike se në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, pritet të nënshkruhen disa marrëveshje për të lehtësuar barrierat ekzistuese ndërmjet dy vendeve, shkruan lajmi.net.
Hapjen e kësaj mbledhjeje e bëjnë dy kryeministrat shqiptarë, Ramush Haradinaj dhe Edi Rama.
Pikë e dytë e rendit të ditës është informimi i kabineteve lidhur me të arriturat për vendosjen e Pikës Doganore të Republikës së Kosovës në Portin e Durrësit.
Po ashtu, aty do të vendosen edhe objektivat e përbashkëta për themelimin e Dhomës Ekonomike Bilaterale Kosovë-Shqipëri.
Në Pejë, do të lidhet edhe Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën për fushën e komunikimeve elektronike të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
Të hënën, do të nënshkruhet Protokolli për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë në mes të Ministrisë së Financave të Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë.
Marrëveshje bashkëpunimi do të ketë edhe në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja, dhe marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare.
Memorandum Mirëkuptimi do të nënshkruhet edhe ndërmjet Agjencisë për Pronësinë Industriale të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të pronësisë industriale të Shqipërisë.
Dy qeveritë do të nënshkruajnë edhe Protokollin për ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës për njohjen bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fitosanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe transitit midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Marrëveshje për bashkëpunim do të ketë edhe në fushën e rinisë.
Dy kryeministrat do të nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës.
Kosova dhe Shqipëria, nesër do të dakordohen edhe për njohjen e patentë shoferëve.
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë po ashtu do të nënshkruajnë Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë.