Shtëpia e Bardhë ka dalë me një deklaratë rreth vendimit të presidentit amerikan, Joe Biden, për t’i vendosur sanksione të reja Rusisë për disa veprime të saj në dëm të Shteteve të Bashkuara.
“Sot, administrata Biden po merr masa për t’i vendosur kosto Rusisë për veprimet e qeverisë së saj dhe shërbimeve të saj të inteligjencës kundër sovranitetit dhe interesave të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.
Kështu, Departamenti i Thesarit i ndërmori disa veprime, sipas urdhrit ekzekutiv të presidentit Biden. Si pikë e parë, në deklaratë përmendet ndalimi që u është bërë institucioneve financiare amerikane për të marrë pjesë në tregje primare të rublës, të lëshuara nga Banka Qendrore e Rusisë, Fondi Kombëtar i Pasurisë i Rusisë apo Ministria e Financave e Rusisë.
Tutje, cak i sanksioneve do të jenë gjashtë kompani ruse të teknologjisë që i ofrojnë përkrahje programit kibernetik të shërbimeve ruse të inteligjencës.
Departamenti i Thesarit gjithashtu u vendosi sanksione 32 entiteve dhe individëve që kanë kryer përpjekje të drejtuara nga qeveria ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në ShBA dhe për kryerjen e veprimeve tjera të keqinformimit dhe ndërhyrjes.
Departamenti i Thesarit, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë dhe Kanadanë, u vendosën sanksione tetë entiteteve dhe individëve të lidhur me okupimin dhe fushatën shtypëse të Rusisë në Krime.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu morën vendim për dëbimin e dhjetë anëtarëve të personelit të misionit diplomatik rus në Uashington. Në mesin e personave të dëbuar përfshihen edhe përfaqësues të shërbimeve ruse të inteligjencës.
ShBA-ja gjithashtu i fajësoi zyrtarisht shërbimet ruse të inteligjencës për skandalin kibernetik të platformës “SolarWinds”, duke e akuzuar Shërbimin Rus për Inteligjencë të Jashtme si autor i fushatës së spiunazhit kibernetik, nga i cili u prekën mbi 16.000 sisteme kompjuterike në mbarë botën.