Marrëdhëniet në rajon dhe vazhdimi i integrimit evropian janë temat kryesore që do të zhvillohen sonte në mbrëmje, në Bruksel, gjatë një darke pune në mes të krerëve të qeverisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini.
Në këtë takim jozyrtar, Serbia do përfaqësohet nga kryeministrja Ana Brnabiq.
Në takimin e tretë të këtij lloji për këtë vit, Mogherini dhe Brnabiq, sipas paralajmërimeve të mediave serbe, do të flasin për ngjarjet aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivat për vitin 2018.
Kështu, sipas këtyre mediave sot do të diskutohet edhe për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kjo pasi, raundi i ri i dialogut, i cili është ngritur në nivel presidencial, ende nuk është caktuar.
Ndryshe, në këtë takim do marr pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka deklaruar se do diskutojë me zyrtarët e BE-së për liberalizimin e vizave dhe për këtë pret lajme të mira.