Për të pakësuar rrezikun e formimit të një guri të ri, është e rëndësishme që ju të pini të paktën 3 litra lëngje gjatë ditës, kryesisht ujë
Gjatë stinëve të ftohta njerëzit konsumojnë më pak lëngje duke çuar në një “dehidratim” të organizmit. Në fakt dehidratimi është një problem gjatë verës për shkak të humbjes së lëngjeve nga djersitja.
Në dimër, dehidratimi zakonisht është i fshehtë dhe ndodh nga humbja e ujit urinar pjesërisht për shkak të konsumimit më të shumtë të kafesë dhe alkoolit (të cilët kanë efekt diuretik duke nxitur urinimin) dhe humbjes virtuale të ujit për shkak të soluteve të konsumuara më shumë në dimër (kripë dhe sheqer).
Dehidratimi në vetvete nuk shkakton gurë në veshka, por kushtet e krijuara nga ky proces janë të njohura që përkeqësojnë rastet e gurëve në veshka, kur faktorë të tjerë të nxitjes së formimit të tyre janë të pranishëm, shkruan Ekonomia Online. Ndryshime duhen bërë në sasinë e kripës, kalciumit, oxalateve, proteinave, kaliumit dhe lëngjeve në dietën.
Nëse ju keni patur një gur nga kripërat e kalciumit, mjeku juaj mund t’ju kërkojë të pakësoni kripën dhe natriumin në dietën tuaj. Ju nuk duhet të shmangni marrjen e kalciumit në dietën tuaj. Është e rëndësishme që ju të mësoni nga mjeku juaj për sasinë e duhur të kalciumit që ju duhet të merrni, sepse pas një diete të ulët në kalcium për një periudhë të gjatë kohore mund të shkaktohet humbja e masës kockore ose osteoporoza.
Nëse ju keni pasur një gur në veshka që përmban oxalate, sugjerohet që të kufizoni marrjen e ushqimeve me përmbajtje të lartë të oxalateve: kikirikë, çaj, kafe, panxhar, fasule, manaferra, luleshtrydhe, çokollatë, rrush, birrë etj.
Për të pakësuar rrezikun e formimit të një guri të ri, është e rëndësishme që ju të pini të paktën 3 litra lëngje gjatë ditës, kryesisht ujë. Në mot të nxehtë, ju mund të keni nevojë të pini më shumë për shkak të humbjes së lëngjeve nga djersitja.
Kjo do të ndihmojë për të mbajtur urinën tuaj më pak të koncentruar çka ul rrezikun e formimit të gurit. Duhet të zvogëloni sasinë e proteinave shtazore në dietë: mish viçi, lope, pule, derri, peshk, vezë.
Infeksionet urinare
Të konsumohen sa më shumë lëngje, e rekomandueshme 2-3 litra në ditë. Uji, i cili ka dhe veti antioksidante, të mos të pihet menjëherë, por pak nga pak. Po ashtu, tri herë në javë pini lëngje frutash të shtrydhura, si lëng limoni, portokalli, pjeshke, rrushi, karote etj. Boronica e kuqe në formë çaji, lëngu, fruti, tabletash lufton infeksionet urinare.
Që 50 vjet përpara dietologët kanë raportuar efekte antiinfeksioze të boronicës së kuqe nga prania në të e të paktën dy substancave që pengojnë ngjitjen e baktereve në rrugët urinare. Aloe vera lufton infeksionet. Për këtë bimë janë gjetur shkrime të ndryshme edhe nëpër papiruse, për të cilën thuhet se është shumë e dobishme dhe nga ajo janë prodhuar tableta të vogla kundër infeksioneve të ndryshme.
Brokoli nuk gjendet shpesh në tryezat tona sepse nuk kemi njohuri të mjaftueshme për të. Megjithatë, është mirë që ta konsumojmë më shpesh sepse përveçse është shumë i ushqyeshëm brokoli përmban glukinolat, një përbërje bimore që shkatërron bakteret në fshikëzën e urinës. Rekomandohen 200 – 300 gram brokoli në ditë të paktën 2-3 herë në javë.
Gjithashtu, është i provuar dhe roli i vitaminës B6 për ITU. Vitamina B6 ndihmon në prodhimin e proteinave, çlirimin e glukozës, etj. Të gjitha këto procese në trup janë të domosdoshme për rritje, formimin e gjakut dhe mbrojtje kundër infeksioneve. Në formë natyrale vitamina B6 gjendet tek drithërat, banania, patatja, gjeli i detit, peshku, lajthia, arra, speci e perimet si lulelakra etj.
Rritja e tensionit të gjakut (hipertensioni arterial)
Një nga shkaktarët por dhe komplikacion i rëndësishëm i sëmundjeve kronike të veshkave është dhe hipertensioni arterial. Rënia e temperaturave shkakton rritje të vlerave të tensionit të gjakut, më e shprehur kjo në të moshuarit.
Studiuesit e shpjegojnë këtë fakt me aktivizimin e shtuar të sistemit nervor simpatik dhe çlirimin e katekolaminave, përgjegjës për ngushtimin e enëve të gjakut dhe rritjen e tensionit të gjakut. Nga një studim i bërë në 8801 adulte mbi 65 vjeç në Francë, rezultoi që si presioni sistolik (maksimal) dhe ai diastolik (minimal) të gjakut rriten në dimër. Këto të dhëna do të ndihmonin në parandalimin e komplikacioneve të hipertensionit arterial në dimër si ishemia e trurit, hemorragjia nga çarja e enëve të zgjeruara (aneurizma) sidomos në këtë grup moshë, nëpërmjet monitorimit të tensionit të gjakut dhe mjekimit të kujdesshëm.
Kur duhet të shqetësoheni dhe t’i drejtoheni mjekut:
Çdo urinim i shpeshtë, i shoqëruar ose jo me djegie;
urgjenca për urinim;
dhimbja dhe rendimi në fund të barkut;
urinimi gjatë natës;
vështirësia apo pamundësia për të mbajtur urinën;
era e keqe, jo e zakonshme e urinës;
temperatura disa herë e lartë e shoqëruar me ethe;
janë shenjat që duhet t’i shqetësojnë njerëzit për të bërë një analizë urine të thjeshtë e për t’u konsultuar me specialistin për të gjetur shkakun.
Këshilla
Kontrolloni vlerat e tensionit të gjakut gjatë dimrit duke shmangur luhatjet. Mbani një ditar të tensionit të gjakut për t’ia treguar mjekut tuaj. Kjo do të ndihmojë mjekun nëse keni nevojë për të ndryshuar apo rregulluar barnat e hipertensionit arterial.
Merruni me aktivitet fizik në mënyrë të rregullt gjatë gjithë vitit. Gjatë dimrit ju mund të vazhdoni të ushtroni aktivitet fizik. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin. Aktiviteti fizik zhvillohet duke ecur, vrapuar apo duke lëvizur me biçikletë, të paktën 30 minuta në ditë, tri herë në javë. Fillo ngadalë dhe vazhdo po ashtu. Shmangni aktivitetin e sforcuar fizik, sidomos kur jeni të ekspozuar në temperatura të ulëta. Mundohuni të mos shtoni në peshë gjatë muajve të dimrit duke përdorur ushqime të shëndetshme. Shtimi në peshë përveçse rritjes së vlerave të tensionit të gjakut, ndikon dhe në punën e zemrës. Bëni vizita të rregullta te mjeku. Në qoftë se tensioni juaj i gjakut vazhdon të jetë i lartë, kontaktoni mjekun për ri-rregullimin e mjekimit për të kontrolluar tensionin e gjakut. Për njerëzit mbi moshën 65 vjeçare kjo është veçanërisht e rëndësishme. Ndryshimi i mjekimit sipas ndryshimeve sezonale që pëson tensioni i gjakut ju ndihmon të jeni të shëndetshëm gjatë gjithë vitit.