Bordi i KF Ferizajt ka konfirmuar se klubi do të fillojë procesin e privatizimit.
Përmes një postimi në Facebook klubi i Ferizajt ka konfirmuar se ka hapur procesin e privatizimit me synimin që klubi të zhvillohet e të mos ketë probleme financiare e organizative, transmeton Koha.net.
“Klubi ynë drejt Privatizimit. Bordi udhëheqës i klubit futbollistik ‘KF Ferizaj’, e udhëhequr nga Fisnik Bucaliu në mënyrë unanime vendosi që të hap procesin e privatizimit të klubit, si një domosdoshmëri për zhvillim dhe ngritje të klubit, pa pasur fare pengesa, siç janë ato financiare e organizative”, thuhet në postimin e klubit.
Tutje KF Ferizaj thotë se së shpejti do të fillojnë me hapat tjerë drejtë përmbylljes së këtij procesi, në mbështetje të dispozitave ligjore në fuqi.
“Nuk mundemi të vazhdojmë më, me synim të realizimit të objektivave të mëdha, duke pasur këtë status të klubit”, thotë KF Ferizaj.
Kujtojmë se KF Ferizaj sivjet është përballur me probleme të mëdha financiare, derisa mbijetesën në Superligë e kishte arritur falë një serie të fitoreve në ndeshjet e fundit në kampionat.