Zyrtarët e Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA), Nicolaus Marshall, Breacher Joachim dhe Mark Blackbourne, pas inspektimit të punëve të bëra në stadiumin e qytetit të Prishtinës, dhanë disa rekomandime, shkruan sot Koha Ditore.
Të tre zyrtarët e UEFA-s që për dy ditë qëndruan në Kosovë, të mërkurën e të enjten, kanë rekomanduar që testimi i stadiumit të Prishtinës të bëhet pa ardhur qershori, mundësisht me ndeshjen finale të Kupës në futboll, që pritet të zhvillohet më 25 ose 26 maj.
Por testimi i fushës mund të bëhet edhe më herët. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) pritet t’ia lejojë klubit të futbollit Prishtina që t’i zhvillojë dy ndeshjet e fundit kampionale si vendëse, atë të javës së 31-të që luhet më 6 maj kundër Gjilanit dhe të javës së fundit (33) më 19 maj, kundër Dritës.