KFOR-i e vlerëson si të dhunshme hyrjen e kryetarëve në ndërtesat e komunave në veri

Prishtinë | 26 Maj 2023 | 22:59 | Nga Ekonomia Online

Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR thotë se është duke monitoruar nga afër situatën në veri, e cila sipas tyre është përshkallëzuar nga “hyrja e dhunshme në ndërtesat e komunave të kryetarëve të sapozgjedhur”.

KFOR-i dënon këto “akte të njëanshme” dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga dhuna, përcjell teve1.info

“Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. KFOR-i dënon me vendosmëri këto akte të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë. Koordinimi midis të gjithë aktorëve është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. Prioriteti i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurtë, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Sipas KFOR-it, “dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë”.

Situata në veri është tensionuar që nga mesdita e sotme, si shenjë pakënaqësie nga serbët lokal pas betimit që kanë bërë dje kryetarët e komunave në Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan.

Të ngjashme