KGjK konfirmon pezullimin e gjyqtares Safete Tolaj

Prishtinë | 24 Jan 2017 | 16:16 | Nga

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka njoftuar se ka marrë vendim për pezullimin nga puna të gjyqtares mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Pejë-dega në Deçan, Safete Tolaj.

Vendimi thuhet se është marrë njëzëri pas vlerësimit të raportit të Komisionit “ad hoc” dhe rekomandimit për pezullim të gjyqtares Tolaj, deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Prokuroria e Shtetit ishte vënë në veprim pas publikimit të promos së emisionit “Drejtësia në Kosovë”, ku shihet se djali i gjykatëses në Deçan, Safete Tolaj, shihet duke marrë para në këmbim të zgjidhjes së një lënde në gjykatë.Prokuroria ka njoftuar se ka ndaluar gjyqtaren mbikëqyrëse të Gjykatës Themelore të Pejës, dega në Deçan, si dhe ka arrestuar djalin e saj, Fisnik Tolaj.

“Prokuroria kishte kuptuar për informacione të publikuara në platformën KALLXO.com për dyshime për ryshfet se familjarë të përgjegjëses së gjykatës në Deçan janë përfshirë në një kërkesë për ryshfet me qëllim të përshpejtimit të një lënde në gjykatë, një rast ky që tashmë ka qenë nën hetime nga ana e prokurorisë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

“Si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve dhe kontakteve të marra me dëshmitarët e mundshëm të këtij rasti, është bërë e mundur që gjatë ditës së sotme me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës të arrestohet shtetasi F.T.”

“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve hetimore të prokurorisë dhe policisë, e me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fillimisht është shoqëruar e më pas edhe është ndaluar edhe gjyqtarja mbikëqyrëse e Gjykatës Themelore të Pejës, dega në Deçan, S. T. dhe prokuroria në pajtim me dispozitat ligjore të KPP-së do të kërkojë nga gjykata kompetente zbatimin e masave adekuate ndaj të dyve për sigurimin e prezencës së të dyshuarve në procedurë penale”.

Gjithashtu, në mbledhjen e KGjK-së, të hënë, u aprovua edhe kërkesa për dorëheqje nga pozita e gjyqtarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani.

Hasani filloi punën si gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës nga viti 2003 fillimisht si gjyqtar, pastaj nga viti 2009 si zëvendës kryetar i Gjykatës Supreme, ndërsa nga 16 shkurt 2010 u emërua kryetar i kësaj Gjykate.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme