Kidnapimi i tre policëve kosovarë nga Serbia, pozitë e opozitë bëjnë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë për lirimin e tyre

Prishtinë | 16 Qer 2023 | 07:57 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje të enjten KFOR-it të ushtrojë trysni mbi Serbinë që t’i kthejë në Kosovë tre zyrtarët policorë të arrestuar nga forcat serbe të mërkurën.

Në një seancë të jashtëzakonshme në parlamentin e Kosovës, të kërkuar më herët gjatë ditës nga opozita për të trajtuar këtë situatë, kryeministri tha se KFOR-i si ushtrues i funksionit të mbrojtjes duhet ta ndëshkojë këtë shkelje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

“KFOR-i pra nuk do të duhej të jetë i heshtur e as përulur ndaj sulmit kidnapues të cilin edhe e kishte mandat ta parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, dhe ashtu do e mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur të përmbushte efektivisht”, tha kryeministri Kurti.

Veprimet e djeshme të Serbisë, tha ai, dëshmojnë për orientimin e udhëheqjes së Serbisë nga verilindja dhe jo nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ajo që kemi parë dje është hakmarrje në njërën anë, e agresion në anën tjetër. Krijimi i hakmarrjes si instrument ndaj veprimeve të sundimit të ligjit në Kosovë, është jo vetëm mendësi barbare, mesjetare por tregues i orientimit të udhëheqjes së Serbisë kah verilindja, nga despotët e verilindjes, e jo nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Partitë opozitare e dënuan po ashtu arrestimin e tre policëve duke vlerësuar se ky veprim tregon qartazi se Serbia nuk dëshiron paqe me Kosovën.

“Përmes këtij veprimi, Serbia e Aleksandër Vuçiç-it dëshmoi se mbetët në logjikën e njëjtë sikurse Serbia e Slobodan Millosheviçit. Vuçiç me këto veprime po dëshiron të shkaktoj trazira, por përballë këtyre fakteve shteti ynë duhet të jetë i qartë në qasjen e tij dhe qeveria para se gjithash duhet të ketë angazhim më të madh dhe konkret në ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë”, tha Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Te rrëmbimi pajtohemi të gjithë se është agresion kriminal ndaj shtetit të Kosovës dhe e ke përkrahjen e plotë. Është një gjë që çdo njësi speciale mund ta bëj, mundet edhe policia jonë të shkojë e t’i arrestojë gjashtë andej dhe t’i sjell këndej. Por çështja është se cila është ideja e shtetit tonë? Çka po kërkojmë ne, dhe këtu zoti kryeministër fillojnë të nisin problemet”, tha Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Opozita hodhi kritika të ashpra ndaj qeverisë për dëmtim të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë për shkak të mungesës së bashkërendimit lidhur me situatën në veri të vendit, duke ngritur shqetësime për mundësinë e masave të reja ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Qasjen e qeverisë së Kosovës përballë partnerëve ndërkombëtarë e ke transmetuar dhe interpretuar si demonstrim force dhe për këtë fatkeqësisht nuk mund të kesh përkrahjen ndërkombëtare, pra ky është problemi dhe këtu lind problemi tjetër që është problem akoma më i madh dhe akoma më i rëndësishëm për Kosovën”, tha zoti Gashi.

“Kemi pasur shumë paralajmërime javët e fundit në lidhje me këtë zbehje të bashkëpunimit dhe as nuk i keni dëgjuar e as nuk i keni marrë për bazë ato. Madje me disa prej tyre dhe jeni tallur duke shtyrë aleatët tanë që të distancohen dhe të marrin qëndrime kundër Kosovës duke pasur masa shtrënguese apo sanksione. E sot kur ata na duhen më shumë për të garantuar rikthimin e zyrtarëve tanë policorë në Kosovë, a e keni këtë mbështetje të tyre? Nëse nuk e keni, përse nuk e keni dhe çka më tutje?”, tha zoti Krasniqi.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha gjatë ditës se kjo mungesë bashkërendimi ka bërë që situata edhe ashtu e brishtë të përshkallëzohet edhe më shumë.

“Ajo që duhet të thuhet sot këtu është se veprimet aventureske në veri të Kosovës dhe shpërfillja e miqve tanë euroatlantik në krye me Shtetet e Bashkuara kanë rezultuar me përshkallëzim të situatës dhe jemi nën kërcënim të sanksioneve ndaj një vendi i cili është më properëndimor dhe më proamerikan. Reagimi me vonesë i kryeministrit ndaj çdo situate të krijuar është parë si një pabesi e qeverisë ndaj partnerëve dhe rrjedhimisht reagimi i tyre ishte i butë”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për mungesë bashkërendimi, duke e përjashtuar atë nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe 23”, dhe nuk kanë përjashtuar mundësinë e masave të tjera ndëshkuese. Bashkimi Evropian tashmë ka shpallur masa ndëshkuese./VOA

Të ngjashme