Autoritetet e Koresë së Jugut po hetojnë pretendimet e mediave se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un udhëtoi për një vizitë të papritur në Kinë.
Mediat e Koresë së Jugut dje kanë publikuar se ka indikacione të fuqishme se Kim udhëtoi me tren për në Pekin, që do të ishte vizita e tij e parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës në vitin 2011.
Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut kanë thënë për agjencinë e lajmeve Yonhap se nuk kanë asnjë konfirmim zyrtar, por se janë duke hetuar nëse udhëheqësi verikorean me tren ka vizituar Pekinin.
“Qeveria jonë po përpiqet të zbulojë nëse pretendimet e mediave janë të sakta”, thonë nga ministria, kurse një njoftim të ngjashëm e ka lëshuar edhe Shtëpia e Kaltër në Seul, Zyra e Presidentit të Koresë së Jugut.
Të dy Koretë kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e një samiti të përbashkët në prill ndërsa në maj pritet një takim i udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.