Kim Mehmeti thotë se “injorantët e doktoruar u rritën në përmasa të turpshme”

Prishtinë | 02 Dhj 2021 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Publicisti i njohur shqiptar, Kim Mehmeti, një pjesë të arsimuarve shqiptarë të dy dekadave të demokracisë i ka quajtur “injorantë të doktoruar”, shkruan EkonomiaOnline.

Sipas tij,  njeriu i paarsimuar sheh qartë vetëm vetveten dhe gjërat rreth tij, gjysmë i arsimuari nuk e sheh vetëm atë që shikon por edhe hijet që i duken se ecin pranë tij, ndërsa i arsimuari i mirëfilltë nuk e lodh shikimin me gjërat që ka pranë vetes, por donë t’i sheh largësitë, jeton me bindjen se gjithmonë do mbetet vetëm një nxënës që duhet të mësojë.

“Por, mes këtyre tri kategorive, ekziston edhe një grup tjetër i të arsimuarve, një lloj i ri i tyre që e pollën dy dekadat e demokracisë, e numri i të cilëve u rritë në përmasa të turpshme mes shqiptarëve të Maqedonisë: shkencëtarët me tituj doktorësh e magjistrash, e që këto tituj i morën duke mbrojtur temat shkencore te Qafa e Thanës apo nëpër ‘plovdivët’ e Bullgarisë. Atje ku i dorëzonin ‘punimet shkencore’ të shkruar në bardhësitë e dhjetëra monedhave evropiane me ngjyrë të kuqe”, shkruan Mehmeti në Facebook.

Ai shton se sot kemi aq shumë shkencëtarë sa do mjaftonin për t’u kompletuar me kuadër arsimorë e shkencorë të gjitha institucionet shkencore e universitare të Ballkanit Perëndimorë.

“Pra, të gjithë universitetet që ngjajnë në vetëshërbimeve ku mund të blesh atë diplomë që ta lejon xhepi. E me çka u krijua bindja se arsimimi nuk ka të bëjë me atë që ke në kokë dhe në bërthamën njerëzore, por me atë që ke në xhep dhe me thellësinë e tij”, shkruan Mehmeti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme