Avokati kinez për të drejta të njeriut, Wang Quanzhang është dënuar me më shumë se katër vjet burgim, ka njoftuar një gjykatë në veri të Kinës.
Gjykata Popullore e Shkallës së Dytë në Tianjin ka thënë përmes një deklarate me 28 janar se Wang është “shpallur fajtor për destabilizim të fuqisë së shtetit, prandaj është dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burgim, si dhe i është ndaluar pjesëmarrja në fushën politike për pesë vjet”.
Ende nuk është bërë e ditur nëse atij do t’i hiqen nga dënimi ditët që tashmë ka kaluar në burg.
Wang, 42 vjeçar, ka qenë në mesin e 200 avokatëve dhe aktivistëve ligjorë që janë ndaluar më 2015, në kohën kur pati shpërthyer pakënaqësia e këtij grupi shoqëror.
Wang ka qenë anëtar i kompanisë ligjore, Fengrui, dhe ka marrë pjesë në shumë raste të ndjeshme, por edhe ka kritikuar publikisht Partinë Komuniste që tani është në pushtet.
Gruaja e Wang, Li Wenzu, ka thënë se nuk i është lejuar që të marrë pjesë në gjykimin e burrit të saj.
Li ka bërë fushatë të pandërprerë me qëllim të lirimit të Wangut.
Diplomatë nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Zvicra, Britania dhe Gjermania kanë qenë jashtë gjykatës kur ka nisur gjykimi.
Ata kanë kërkuar që të jenë brenda në sallë, mirëpo u është ndaluar një gjë e tillë.
Gjykimi i aktivistëve të të drejtave të njeriut në Kinë, zakonisht ndodh në kohën e Krishtlindjeve, pasi shumica e diplomatëve dhe gazetarëve perëndimorë janë në pushim.