Kina pretendon se arrestoi 13000 “terroristë” në Xinjiang që prej 2014-s

Prishtinë | 18 Mar 2019 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Kina ka arrestuar afro 13.000 persona, të përshkruar si terroristë, dhe ka shpërbërë me qindra “banda terroriste” në Xinjiang që prej vitit 2014, thuhet në një raport të Qeverisë në Pekin, të lëshuar të hënën për t’iu kundërvënë kritikave ndërkombëtare rreth kampeve të saja të përqendrimit dhe masave të shtypjes dhe vëzhgimit të zbatuara në rajonin me shumicë myslimane.

Raporti i gjatë cekë se përpjekjet e Qeverisë kanë frenuar ekstremizmin fetar ama nuk ofron dëshmi se çfarë krimesh në fakt kanë ndodhur. Rajoni i largët veriperëndimor është i mbyllur për vizitorët e jashtëm, mirëpo banorët e dikurshëm dhe aktivistët ndërkombëtarë pretendojnë se aty vetëm identifikimi si mysliman mund të rezultojë me ndëshkim. Kritikat ndaj kampeve kineze të internimit janë shtuar pasi u mësua se mbi 1 milion ujgurë dhe pjesëtarë të grupeve të tjera myslimane janë mbyllur në kampet që Pekini i quan “qendra të riedukimit”, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Të burgosurit e dikurshëm bëjnë të ditur se ata janë mbajtur aty nën kushte të tmerrshme, janë detyruar të heqin dorë nga islami dhe të betohen për besnikëri ndaj partisë Komuniste të Kinës.

Autoritetet kineze kanë zbatuar masa të gjera të sigurisë në Xinjiang dhe kanë bllokuar çdo mënyrë për verifikimin e pavarur të pretendimeve për shtypje. Raporti i ri bën të ditur se “deradikalizimi i bazuar në ligj” në Xinjiang ka frenuar rritjen dhe përhapjen e ekstremizmit fetar. Cekë po ashtu se 1.588 banda terroriste janë shkatërruar ndërsa 12.995 terroristë janë burgosur. “Që prej vitit 2014, 2.053 mjete shpërthyese janë konfiskuar ndërsa më shumë se 30.000 persona janë ndëshkuar për pjesëmarrje në afro 5.000 ‘aktivitete ilegale fetare’”, thuhet në raportin që nuk ofron dëshmi për pretendimet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme