Kina pritet të vendosë taksën mbi çelikun të ardhur nga BE-ja dhe tre vendet aziatike

Prishtinë | 22 Kor 2019 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Kina ka njoftuar se do të vendosë detyrime anti-dumping për disa produkte të çelikut të importuara veçanërisht nga Bashkimi Evropian, Japonia, Koreja e Jugut dhe Indonezia.

Sipas ministrisë kineze të Tregtisë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi, tarifat anti-dumping prej 18.1 për qind deri në 103.1 për qind do të aplikohen për produktet “stainless steel” të prodhuara nga kompanitë evropiane dhe tre vendet aziatike, duke filluar nga 23 korriku.

Vendimi pason një hetim anti-dumping në muajit korrik të vitit të kaluar pas një ankese të paraqitur nga firma shtetërore e Shanxi Taigang Stainless Steel.

Këto pllaka çeliku që importohen nga BE-ja dhe vendet e tjera, përdoren kryesisht në ndërtimin e anijeve, kontejnerëve, hekurudhave, energjisë dhe industrive të tjera.

Kina si prodhuesi më i madh i çelikut në botë, gjatë vitit 2018 prodhoi 26.71 milionë ton produkte çelik inoksi, duke u rritur 2.4 për qind nga një vit më parë.

Vendi importoi 1.85 milion ton produkte çelik inoksi gjatë vitit të kaluar, duke u rritur 53.7 për qind, krahasuar me vitin 2017. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme