Gjatë dekadës së kaluar, kompanitë kineze kanë investuar miliarda dollarë amerikanë në mbarë Evropën – duke blerë infrastrukturë kritike dhe ngritur ndikimin politik të Pekinit në krejt kontinentin. Me firmat kineze, shpesh me lidhje të forta me shtetin dhe me Partinë Komuniste Kineze, marrin kontrollin e porteve, tubacioneve, rrjeteve të ndjeshme të komunikimit, inkursionet e Kinës në ombrellën e sigurisë së Evropës po kthehen në shqetësim serioz.
Sytë kah Rusia
Por NATO-ja, kaherë e shqetësuar për Rusinë, ka qenë pothuajse krejtësisht e heshtur ndaj Kinës. Por tani po ndryshon sjellja. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë së fundmi thirrje që Aleanca të ngrihet kundër “provokimeve dhe shantazhit” të Kinës, duke vënë theksin se si Kina po ngrihet me të madhe, duke ndryshuar baraspeshën globale të fuqisë. Është e dukshme se NATO-ja më nuk mund ta injorojë kërcënimin. Nëse Aleanca shpreson të ruajë statusin e kandidates rivale në konkurrencën e përgjithshme, do t’i duhet të zhvillojë një strategji të re përkitazi me qasjen e Pekinit.
Së pari, NATO-ja duhet të bëjë një vlerësim gjithëpërfshirës për kërcënimet hibride të Kinës – një miks të veprimeve diplomatike, ekonomike, teknologjike, të sigurisë dhe të informacionit të dizajnuar për të minuar në heshtje shtetet dhe institucionet demokratike për hesap të Pekinit, njëherësh duket një konflikt tradicional. Përderisa kërcënimi ushtarak konvencional i Kinës në Paqësor është larg prej kufijve të NATO-s, aktivitetet hibride kineze po jetësohen në oborrin e pasmë të Aleancës.
Vjedhja e pronës intelektuale, spiunazhi kibernetik, infiltrimi në infrastrukturën kritike, manipulimi i borxhit dhe dezinformatat janë shembuj që dëshmojnë më së miri qasjen e Pekinit zyrtar. Përderisa këto kërcënime duket se po kalojnë pa ndonjë vërejtje të madhe të NATO-s dhe jashtë sistemit të saj të brendshëm, megjithatë përbëjnë rreziqe sigurie për Aleancën. Ta zëmë, dëshira e Kinës për të investuar në Portin Klaipeda të Lituanisë mund të mos duket sipërfaqësisht problem i madh për NATO-n. Por investimi kinez ka pasoja shqetësuese të lidhura me kontrollin operues të Kinës që merr në infrastrukturë. Ai kontroll do të mund të ulte gatishmërinë e aleatëve për të lëvizur forcat ushtarake – përfshirë edhe teknologjinë e ndjeshme – nëpërmjet portit dhe rrjeteve të tij përreth. Kjo do të mund të shpinte drejt prishjes së planifikimit dhe manovrave ushtarake, duke ulur aftësinë e NATO-s për të mbrojtur shtetet baltike gjatë një krize eventuale me Rusinë. Kjo do të mund të hapte njashtu derën për bashkëpunim pragmatik ndërmjet Kinës dhe Rusisë për të minuar sigurinë transatlantike.
Bashkë kundër fuqisë në ngritje
Aleatët duhet të krijojnë një mirëkuptim të përgjithshëm për këto rreziqe nëpërmjet ndarjes së informatave dhe dialogut – nuk duhet të mbetet vetëm në duar të shteteve të vogla që nuk kanë guxim të shihen sy më sy me Kinën. Disa sosh madje janë të gatshme t’i injorojnë cenueshmëritë e tilla për shkak të përfitimeve ekonomike ose dobësimit të institucioneve transatlantike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rol kritik për t’i bërë aleatët tok për të njëjtin qëllim për t’iu kundërvënë aktiviteteve hibride të Kinës.
Së dyti, NATO-ja duhet të përqendrohet në diplomacinë publike. NATO-ja ka rol të rëndësishëm në luftën kundër narrativës botërore të Partisë Komuniste të Kinës, që Pekini e përdor për të tymuar qëllimet e veta të vërteta. Për t’i mbrojtur vlerat transatlantike mbi të cilat është themeluar Aleanca – liria, demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut – NATO-ja duhet të komunikojë qartazi shkeljet e këtyre parimeve nga ana e Kinës, por edhe kundër abuzimeve ndaj ujgurëve etnikë në Xinjiang dhe shkeljet e Konventës së OKB-së për të drejtën detare në Detin e Kinës Jugore.
NATO-ja duhet të avancojë gjithashtu qasjen e saj kundrejt partnerëve kyç në Oqeanin Indian dhe në Paqësor, si ndaj Australisë, Japonisë, Zelandës së Re dhe Koresë Jugore, që mund të shërbejnë si kundërpesha të rëndësishme ndaj ndikimit kinez në rajon. Përçimi i mesazheve publike me efikasitet nënkupton edhe drejtimin e gishtit të fajësisë për sulmet, qysh veproi së fundmi Komisioni Evropian kundër dezinformatave të përhapura nga Kina për mënyrën e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit, për të ngritur presionin mbi zyrtarët kinezë.
Koha për të folur njëzëshëm
Vendet transatlantike kanë hasur në telashe për të formësuar sjelljen e Kinës, sepse nuk mund të provojnë qëllimin ose të pajtohen për të bërë thirrje që Pekini të heqë dorë prej përpjekjeve subversive.
Analizë e “Foreign Policy Magazine”