Kinë, dy të vdekur nga një virus i ngjashëm me SARS

Prishtinë | 19 Jan 2020 | 17:34 | Nga Ekonomia Online

Në Kinë ka vdekur personi i dyte nga një virus i ri që ka infektuar dhjetëra njerëz dhe ka vënë në gatishmëri pjesën tjetër të Azisë, kanë bërë të ditur zyrtarë kinezë të shëndetësisë.

Një burrë 69 vjeçar i identifikuar vetëm me mbiemrin e tij, Xiong, vdiq të mërkurën në qytetin qendror Wuhan në provincën Hebei, vend ky ku filloi shpërthimi i pneumonisë, thanë zyrtarët lokalë të shëndetit në deklaratë.

Vdekja e tij pason atë të një burri 61 vjeçar në të njëjtin qytet më 9 janar, i cili vdiq pas dështimit të frymëmarrjes të shkaktuar nga pneumonia e rëndë.

Shkencëtarët kinezë e identifikuan sëmundjen si një lloj i ri i koronavirusit, i cili është në të njëjtën familje me sindromën vdekjeprurëse akute të frymëmarrjes (SARS) dhe sindromën e frymëmarrjes së Lindjes së Mesme (MERS).

Simptomat e koronavirusëve mund të shkojnë nga ethet dhe kollitja deri te dështimi i veshkave, dhe në disa raste çojnë në vdekje.

Por, koronavirusi i ri në Wuhan duket se nuk do të jetë aq vdekjeprurës sa MERS ose SARS, i cili infektoi më shumë se 8,000 njerëz dhe vrau 774 në një pandemi që  kishte prekur Azinë në 2002 dhe 2003.

Aktualisht, 41 raste të koronavirusit të ri janë raportuar në Wuhan, qyteti më i madh qendror i Kinës. Pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë ndërsa 12 janë larguar pas trajtimit, thanë autoritetet lokale shëndetësore. Pacientët e tjerë janë të qëndrueshëm dhe nën trajtim.

Të ngjashme