Kioskat shndërrohen në WC, Komuna e Prishtinës fajëson qytetarët

Prishtinë | 04 Qer 2018 | 15:41 | Nga

Mungesa e tualeteve publike vazhdon të jetë problem për qytetarët. Si pasojë e kësaj, ata shfrytëzojnë hapësira të ndryshme publike për të kryer nevojat e tyre fiziologjike. E tillë është edhe hapësira e kisokave afër Postës së Madhe në Prishtinë.

Vendosja e tualeteve publike është premtuar shumë herë nga Komuna e Prishtinës, por deri me tani nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Për qytetarët është shqetësues fakti se në mungesë të këtyre tualeteve, po shfrytëzohen hapësira të nryshme për t’i zëvendësuar ato.

Afër Postës së Madhe janë dy kioska të pashfrytëzuara tashmë dy vite. Ato ishin larguar nga sheshi “Zahir Pajaziti”, dhe janë vendosur aty nga Komuna e Prishtinës.

Disa shitës ambulantë pranë këtyre kioskave thonë se janë të pashfrytëzueshme, sepse qeraja e tyre është shumë e lartë dhe se ata që i kanë marrë me qera këto kioska nuk kanë pasur punë, prandaj i kanë mbyllur.

Mirëpo, problem kryesor i këtyre kioskave nuk është qeraja, por hapësira pas tyre e cila po përdoret për nevoja fiziologjike nga kalimtarët dhe era e keqe që vije aty. Shitësit përballë tyre thonë se kanë qenë në Komunë për t’u ankuar, por askush nuk i ka marrë parasysh.

“Jom shku n’Komunë, në Zyrën e Shërbimeve Publike, po nuk m’kanë marrë parasysh. E kom taku edhe Shpendin, më ka thanë që ka me ardhë me na ba zgjidhje, po as ky nuk ka ardhë”, thotë një shitës.

Ndërsa Habib Qorri, shef i Sektorit për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, u lë faj qytetarëve për siç e quan ai, shëndrrimin e çdo hapësire publike, në tualete.

“Qytetarët vetë i kanë shnëdrru në tualete, nuk janë vetëm kioskat, janë edhe hapësirat mbrapa bankomateve që qytetarët po i shfrytëzojnë për të njejtin qëllim”, ka thënë ai. I pyetur nga Gazeta Express se çfarë do të bëjë Komuna për këto kioska, ai ka thënë se është në pritje një vendim i ri për të gjitha kioskat e qytetit.

“Jemi në pritje të një vendimi që të bëhet një model i ri i të gjitha kioskave në qytet, edhe tash kur të ndodhë ajo, do të vendoset edhe për këto te Posta. Ose do të vendosen në ndonjë vend ku do të kenë më shumë punë, ose të largohen krejt” ka thënë ai për Gazetën Express.

I pyetur për qeranë e këtyrë kioskave, ai ka thënë se çmimi është caktuar me procedurë të hapur.

“Ofertuesit kanë caktuar çmimin, ndërsa Komuna ka vendosur për çmimin më të lartë që ata e kanë caktuar. “Komuna e ka synim me marrë sa ma shumë, kush e pagun ma shtrejt, ai e merr”, ka thënë Qorri.

Ndërsa për planin e ri që do të implementohet, ai ka thënë se kjo pritet të ndodhë brenda këtij viti. /Express/

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme