Pas dy dështimeve, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) përfundimisht do të pajiset me municion të kalibrit të ndryshëm luftarak e manovrues.
Kompania e cila ka fituar tenderin prej mbi 2 milionë eurove, saktësisht 2.222.000,00 € është grupi i operatorëve ekonomik “NTSH LENTI & FIOCCHI MUNIZIONI s.p.a’’ nga Prizreni.
Kjo kontratë është nënshkruar me datën 29 mars të këtij viti, pasi dy herët e para ka dështuar, shkruan Indeksonline.
Krejt kjo, pasi kompania “LENTI & FIOCCHI MUNIZIONI s.p.a”, tani fituese e tenderit kishte bërë ankesë ndaj FSK-së pasi tenderi me emërtimin “Furnizim me municion për nevojat e FSK-së” i ishte dhënë kompanisë nga Obiliqi “Poligoni i Shenjëtarisë KATANA shpk-Obiliq” edhe pse kjo e fundit kishte ofruar çmimin prej 2.3 milionë euro, ndërsa kompania “LENTI & FIOCCHI MUNIZIONI s.p.a”, ishte më e lirë për 422 mijë euro.
Organi Shqyrtues i Prokurimit ose ndryshe siç njihet Gjykata e Tenderëve pas ankesës të kompanisë “LENTI” & FIOCCHI MUNIZIONI s.p.a”- Prizren, ka marrë vendim për të anuluar tenderin e FSK-së për furnizim me municion.
Ndryshe, përpjekja e parë për furnizim me municion ishte bërë me 16 maj të vitit 2017, ku kontrata ishte dhënë pas dy muajve, pra në muajin korrik.
Mirëpo, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte pezulluar tenderin me 4 shtator. Kjo për shkak të ankesës së kompanisë “LENTI” & FIOCCHI MUNIZIONI s.p.a”, përcjell Indeksonline.
Përpjekja e dytë, u bë në muajin dhjetor, por, OSHP përsëri anuloi dhënien e kontratës.
Ndërsa, këtë vit me datën 22 mars u publikua tenderi për të tretën herë. Kësaj radhe, numri i tenderëve të pranuar ishte dy, ku kontrata iu dha grupit të operatorëve nga Prizreni.
Furnizimi me municion luftarak dhe manovrues bëhet për nevojat e FSK-së me qëllim të përmbushjes së detyrimeve që dalin nga misioni kushtetues që ka ky institucion.