Kjo është përqindja e punëtorëve që kanë kontrata të përhershme të punës

Prishtinë | 31 Tet 2021 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Gjetja e një pune është sfidë për qytetarët në Kosovë.

E kur këtë ta kalojnë, ata i pret edhe një tjetër problem: sigurimi i kontratës në vendin e punës.

Të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thonë se të punësuar në Kosovë janë 359 mijë e 167 persona.
Shumica e tyre, 87.3% kanë kontrata individuale. Një pakicë, 2.8%, posedojnë kontrata kolektive me punëdhënësin dhe 0.3% kontrata grupi. E 8.0 % të tjerë s`kanë fare – asnjë lloj të kontratës.

Nga personat me kontratë pune, sipas ASK-së vetëm 44.0 % e tyre kanë një të tillë të përhershme, ndërsa 56.0 % aso të përkohshme.

Sipas nenit 10 të Ligjit të Punës, kontratat e punës janë tri llojesh:

– Kontrata e Punës për një periudhë të pacaktuar; nuk përmban kurrfarë hollësish për kohëzgjatjen e vet.

– Kontrata e punës për një periudhë të caktuar; nuk mund të lidhet për një periudhë më të gjatë se dhjetë (10) vite.

– Kontrata për punë dhe detyra specifike; nuk mund të jetë më e gjatë se njëqindenjëzet (120) ditë brenda një (1) viti.

BSPK: Kontratat e përkohshme dëmtojnë punëtorët

Dominimi i kontratave të përkohshme mbi ato të përhershme është shqetësues për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Kryetari i saj, Atdhe Hykolli thotë për “Front Online” se kontratat e përkohshme i dëmtojnë punëtorët.

“Kontratat e përkohshme e dëmtojnë punëtorin. Ia ulin motivin për punë. Shumicën e punëtorëve i kemi nëpër kredi që u jep edhe stres. Kanë frikë që nuk munden me i pagu. Cenohet e drejta për me mbajt familjen”, u shpreh Hykolli.

Andaj ai ka një thirrje për bizneset e institucionet.

“I kisha fajësuar të gjitha ato, bizneset private, të cilat kanë mundësi që kontratën t`ua bëjnë të përhershme punëtorëve. Qeveria duhet të bëjë udhëzim e ligj që të mundësojë kontrata të përhershme. Të vetmen mbështetje e kanë atë kontratë – punëtorët. Tjetër mbështetje nuk kanë”, theksoi Hykolli.

Ekonomistët: Kontratat e përkohshme, paqëndrueshmëri e tregut të punës

Ekonomisti Musa Limani vlerëson se të punësuarit me kontrata të përkohshme nuk paraqesin stabilizim afatgjatë në tregun e punës.

“Të punësuarit me kontrata të përkohshme, nuk paraqesin stabilizim afatgjatë në tregun e punës. Me rastin e skadimit të kontratave të tilla, ata nga punëtorë aktivë, kalojnë në shtresën me mbështetje sociale dhe bëhen barrë e shtetit”, theksoi Limani.

Sipas tij, shteti duhet të fokusohet te zhvillimi ekonomik për ta rregulluar këtë problem.

“Stabilizimi i tregut të punës arrihet me zhvillim ekonomik, duke hapur vende të reja pune, duke rritur numrin e të punësuarve, e duke zvogëluar nr. e punëkërkuesve. Kjo do të ishte zgjidhje afatgjate”, u shpreh Limani.

Gratë më pak të punësuara, por me më shumë kontrata të përhershme e të përkohshme se burrat

Shkallat e punësimit tek gratë është 15.9%.

Kjo shifër është shumë më e ulët sesa shkalla e punësimit tek burrat, 42.8 %.

Kështu thonë të dhënat e ASK-së për tre mujorin e parë të 2021-s.

Shifrat si këto Leonida Molliqaj, drejtore ekzekutive në QIKA, po i konsideron alarmante.

Ajo ka kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë diçka, në mënyrë që të ndryshohen për së miri ato.

“Kemi një numër shumë të vogël të grave cilat janë të punësuara. Por, kemi një numër te vogël edhe të grave që po kërkojnë punë. Kjo flet për mungestë të politikave shtetërore. Sa herë që ka një diskriminim kaq të madh, shteti do të duhej të ndërhynte me politika urgjente të punësimit”, deklaroi ajo.

Molliqaj foli edhe për pengesat që i penalizojnë gratë në gjetjen e punës.

“Si pikë e parë, grave u ështe dhënë më pak hapësirë për t`u shkolluar. Pastaj edhe profesionet që ato ndjekin kanë lidhje me kujdesin, infermiere, që janë profesione që paguhen më pak. Tjetër pengesë është obligimi për fëmijë e pleqë. Janë të ngarkuara me punët e shtëpisë”, theksoi ajo.

Gratë kanë më shumë kontrata të përhershme e të përkohshme në punën e tyre sesa burrat.

45.7 % e grave kanë kontrata të përhershme në punën e tyre kryesore, kundrejt burrave 43.2%.

E sa i përket atyre të përkohshme, diferenca është 56.0 % – 54.3, për gratë.

Gratë janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, të tregtisë dhe të shëndetësisë.

Burrat në ata të tregtisë, prodhimit dhe ndërtimtarisë.

Të ngjashme