Klan Kosova e fiton betejën ndaj Ministrisë së Tregtisë në Gjykatë

Prishtinë | 18 Mar 2024 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Komerciale e ka aprovuar kërkesë padinë e Klan Kosovës ndaj Ministrisë së Tregtisë dhe e ka anuluar vendimin e MINT-it për pezullimin e certifikatës së këtij televizioni.

Aktgjykimi për rastin është shpallur më 13 mars të këtij viti.

Gjykata Komerciale e ka publikuar sot vendimin, bazuar në të cilin Klan Kosova do të vazhdojë të operojë.

Sipas aktgjykimit të datës 13.03.2024, i nxjerrë nga gjyqtari Arnis Dumani, vendimi për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit të marrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, do të mbetet në fuqi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

“Aprovohet në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e paditësit ‘Klan Kosova’ Sh.P.K.”, thuhet në aktgjykim.

MINT-i kishte ngritur kallëzim penal ndaj Klan Kosovës më 14 qershor, me pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron “Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Pas kësaj, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, ARBK, ia anuloi certifikatën e biznesit Klan Kosovës, para se ta shfuqizonte vendimin më 21 qershor. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.

Ky vendim i ARBK-së riktheu në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat më 22 qershor.

Klan Kosova u ankua menjëherë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, i cili më 28 korrik vendosi t’ia hedhë poshtë ankesën dhe ta konfirmojë përfundimisht pezullimin e certifikatës së biznesit të saj, duke theksuar se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

MINT-i e akuzonte televizionin se e “ka shkelur Kushtetutën e Kosovës” duke i “paraqitur dy qytete të Kosovës, Pejën dhe Gjakovën, si pjesë të Serbisë” në dokumentet e regjistrimit të kompanisë.

Të ngjashme