Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht, tha të mërkurën se vendi i saj do t’ia dhurojë 5.000 helmeta Ukrainës, pas kritikave ndaj Berlinit për shkak të refuzimit që Ukrainës t’i dhurojë armë për t’u mbrojtur nga sulmi i mundshëm rus. Kjo ndihmë e nervozoi kryetarin e Kievit, Vitali Kliçko.
“Pranova një letër nga ambasada ukrainase, duke kërkuar ndihmë për pajisje ushtarake, helmeta, për të qenë e përpiktë. Do ta furnizojmë Ukrainën me 5.000 helmeta – si sinjal i qartë: ne jemi në anën tuaj”, tha ministrja gjermane.Përderisa Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë filluar t’i dërgojnë më shumë armë Ukrainës, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka përjashtuar dërgimin e “armëve vdekjeprurëse”, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga Ukraina në kohën e grumbullimit të trupave ruse afër kufirit, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
“Këto janë pajisje, jo armë, por ndihmojnë. Kjo është saktësisht ajo se si do të vazhdojmë të punojmë në këtë konflikt. Jemi duke punuar drejt arritjes së një zgjidhjeje paqësore për këtë konflikt në mes të Evropës”, shtoi ministrja gjermane.
Ish-kampioni i botës në boks të kategorisë së rëndë, i cili ka jetuar disa vjet në Gjermani dhe tani shërben si kryetar i kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, dhurimin e 5.000 helmetave nga Gjermania e quajti “tallje”.
“Sjellja e qeverisë gjermane më lë pa fjalë. Ministria e Mbrojtjes qartazi nuk ka kuptuar se ballafaqohemi me forcat ruse të pajisura në mënyrë të përkryer, të cilat mund të nisin një sulm tjetër të Ukrainës në çfarëdo kohe. Çfarë lloji të përkrahjes do të dërgojë Gjermania më tutje? Jastëkë?”, tha ai për tabloidin e njohur gjerman, “Bild”.