Infektologu Izet Sadiku ka thënë që Klinika Infektive po vazhdon të jetë e mbushur me pacientë.
Sadiku ka thënë që shumica e rasteve janë në forma të rënda klinike.
“Në 2-3 ditët e fundit ne po vazhdojmë t’i kemi të mbushura kapacitetet klinike. Vazhdojmë t’i kemi mbi 110 pacientë dhe pranohen aq sa lirohen brenda ditës. 90% prej tyre janë me oksigjenoterapi që tregon që shumica e rasteve tek ne janë në forma të rënda klinike dhe po vazhdon një fluks i madh edhe i pacientëve të tjerë që kanë nevojë për hospitalizim”, tha Sadiku për Klan Kosova
“Kjo tregon që ky numër i madh tash po përkon edhe me situatën epidemiologjike që e kemi në vendin tonë, ku shifrat janë alarmante javët e fundit dhe kjo ka bërë që edhe kërkesat e pacientëve për ndihmë të mjekut të jenë më të mëdha”, shtoi ai.
Tutje Sadiku ka treguar që është hapur ‘Infektiva 2’ e cila, sipas tij, gati është e mbushur dhe ka “pacientë në Klinikat e Gjinekologjisë dhe Pediatrisë”.