KMDLNj: Çdo i ftuar i Speciales, të informohet se në çfarë cilësie ftohet

Prishtinë | 12 Dhj 2018 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar, nëse në ftesën me shkrim drejtuar personave të ftuar para Gjykatës Speciale, nuk shkruhet se në cfarë cilësie ftohen ata.

Sipas KMDLNj-së, çdo i ftuar nga Gjykata Speciale duhet të informohet se në çfarë cilësie ftohet.

Reagimi i plotë:

Zyrat e Specializuara apo Zyra e Specializuar e Prokurorit në Hagë e që në Kosovës njihet si Gjykata Speciale, ka caktuar data kur do të intervistohen persona të ftuar para kësaj Gjykate, mirëpo, nëse i referohemi mbrojtësve të autorizuar të këtyre personave, përveç datës dhe vendit ku është ftuar X personi, nuk ceket cilësia e ftesës; si dëshmitar, si të dyshuar apo si të akuzuar. Disa emra të të ftuarve janë bërë publik përmes mbrojtësve apo edhe vet të ftuarve mirëpo, sipas KMDLN j – së ka të tillë që nuk e kanë bërë publike ftesën nga Gjykata Speciale e që është e drejtë e tyre dhe të cilët me asgjë nuk mund të detyrohen të bëjnë publike ftesën, nëse Gjykata Speciale, përmes shërbimeve të caktuara që i ka, nuk i bënë publike këto ftesa. Deri më tani, nga 7 ftesa për intervistim kemi vetëm një rast kur tregohet cilësia për çka ftohet ndërsa në rastet tjera nuk veprohet në përputhje me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara dhe Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive Themelore të Njeriut, Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike si dhe  Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Nëse në ftesën me shkrim drejtuar personave të ftuar para Gjykatës Speciale në Hagë për intervistim, nuk tregohet se në çfarë cilësie ftohet dhe për këtë nuk informohet as i ftuari e as mbrojtësi i autorizuar e që duhet të jetë i pranishëm gjatë intervistimit, atëherë kjo paraqet shkelje të drejtave të njeriut për çka duhet të reagojë Ombudspersoni i Gjykatës Speciale dhe organizatat për të drejtat e njeriut kurse , për mbrojtje të ligjshmërisë dhe integritetit të procesit dhe të ftuarit, zyrtarisht duhet të reagojë mbrojtësi i autorizuar. Nëse bëhet fjalë për një intervistim për të cilin nuk ka nevojë të shkohet në Hagë, pas vlerësimit të Zyrës së Prokurorit dhe Dhomave të Specializuara – Gjykatës Speciale, ky intervistim mund dhe duhet të bëhet në Kosovë për faktin se kjo Gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe është votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në çdo rast , kur nuk saktësohet se në çfarë cilësie janë ftuar para Gjykatës Speciale, personat që u janë përgjigjur vullnetarisht ftesës apo pas marrëveshjes me autoritetet përgjegjëse, KMDLNj mund të dyshojë se ata ftohen si të dyshuar, se janë pjesë e aktakuzës dhe se mund të arrestohen, pas intervistimit i cili në këtë rast do të ishte vetëm formal.

Në mungesë të informimit për cilësinë e statusit për çka është ftuar dhe në mungesë të marrëveshjes midis autoriteteve të Gjykatës Speciale dhe personit të ftuar, personat e ftuar nuk bëjnë asnjë shkelje të ligjit nëse nuk i përgjigjen pozitivisht ftesës për intervistim.

KMDLNj fton të gjitha palët të përmbahen nga publikimi i listave se kush mund të ftohet, në çfarëdo cilësie para kësaj Gjykate apo se kush mund të arrestohet sepse kota janë vlerësime dhe qëndrime arbitrare e që shkaktojnë huti në opinion duke shqetësuar personat e apostrofuar dhe familjet e tyre.

Autoritetet e Kosovës e që kanë marrë përgjegjësi për të gjitha shpenzimet për personat që do të jenë subjekt i trajtimit para kësaj Gjykate, duhet të vihen në veprim menjëherë duke i përmbushur të gjitha detyrimet; që nga dita e intervistimit, sigurimi të mbrojtjes ligjore, shpenzimet (të gjitha) për familjet e të trajtuarve para kësaj Gjykate, deri te monitorimi i proceseve gjyqësore dhe vizitat monitoruese të personave të privuar nga liria, shtetas të Kosovës. Shtetasit e Kosovës e që eventualisht privohen nga liria e që do të jenë subjekt i Gjykatës Speciale, pa vullnetin e tyre dhe familjeve të tyre po dërgohen larg vendit ku jetojnë dhe sipas Rregullave Evropiane të Burgjeve, Konventave Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut si dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duhet të jenë afër familjeve apo vendit ku jetojnë aq më parë që kjo Gjykatë, sipas autoriteteve të Kosovës qenka pjesë e sistemit të drejtësisë kosovare dhe, në trajtimin e tyre nuk mund të pezullohen ligjet e Kosovës.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë e përkrah çdo gjykatë që i trajton viktimat si viktima, pa bërë dallime në baza etnike, gjinore, moshore, bindjeve politike apo statusit shoqëror sikur që kërkon përgjegjësi për të gjithë ata që planifikuan krimin, nuk e penguan krimin ndonëse kishin detyrim apo mundësi, urdhëruan krimin (niveli politik) apo e zbatuan krimin (kierarkia ushtarake dhe policore) gjithashtu, pa bërë dallim në çfarëdo baze.

KMDLNj fton të gjithë ata që thirren nga kjo Gjykatë e që e kanë të qartë në çfarë cilësie ftohen, të paraqiten vullnetarisht, të bashkëpunojnë me Gjykatën për zbardhjen e krimeve të pazbardhura në mënyrë që të sigurohet drejtësi për viktimat (për të gjitha dhe jo në mënyrë selektive) sikur edhe të sigurohet përgjegjësi për të gjithë ata që u dëshmohet fajësia, përtej dyshimeve të bazuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme