KMDLNj përmes një njoftimi ka bërë të ditur se deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq është ndaluar nga policia serbe dhe nuk është lejuar ta vazhdojë udhëtimin. Sipas KMDLNj-së, me pretekst se kanë urdhër nga lartë dhe se këtë e ka kërkuar BIA – Agjencioni për Siguri i Serbisë.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë ka ngritur zërin ndaj presioneve që janë bërë Sllobodan Petroviqit, aktualisht në mandatin e katërt si deputet i Kuvendit të Kosovës, dy mandate në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe që nga themelimi, Kryetar i Partisë Liberale Serbe.
Ky është njoftimi i KMDLNj:
SHËRBIMI INFORMATIV SERB E MERR NË PYETJE DEPUTETIN E KUVENDIT TË KOSOVËS!
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, z. Sllobodan Petroviq i ka deklaruar KMDLNj –së se me datë 8 dhjetor 2018 në pikëkalimin kufitar në Merdare është ndaluar nga policia serbe në ora 11:15 min dhe nuk është lejuar ta vazhdojë udhëtimin me pretekst se kanë urdhër nga lartë dhe se këtë e ka kërkuar BIA – Agjencioni për Siguri i Serbisë. Më kanë urdhëruar të futem në një zyrë të stacionit policor – pikës policore ku kam qëndruar deri në ora 13:30 kur kanë ardhur dy veta që janë deklaruar se janë nga BIA. Me mua kanë biseduar gjysmë ore për situatën në Kosovë, për FSK – në duke deklaruar se 130 serbë e kanë lëshuar FSK – në gjë që edhe unë e kam pohuar mirëpo kam thënë se janë afërsisht 400 serbë që kanë shprehur gatishmëri të bëhen ushtarë të FSK – së. Kanë pyetur për Radoiçiqin dhe qëndrimin tim pse jam deklaruar kundër ngujimit të deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Kam thënë se ne serbët nuk jemi të rrezikuar nga shqiptarët dhe se jam deputet i Kuvendit të Kosovës me vota të qytetarëve sikur që punoj në përputhje me mandatin që e kam si deputet dhe në bazë të ligjeve të vendit. Kam kërkuar të më tregojnë nëse jam i arrestuar dhe cilat janë arsyet që më kanë ndaluar dhe nuk më lejojnë ta vazhdojë udhëtimin. Më kanë mbajtur deri në ora 16:00 për të më liruar, pa kërkuar nga unë ta nënshkruaj ndonjë deklaratë apo dokument tjetër. Për shkak të pasigurisë dhe rrethanave të krijuara jam kthyer për Kosovë , ndonëse kisha planifikuar t’i marrë anëtarët e ngushtë të familjes që ishin në Serbi, për një festë fetare.
Deputeti Petroviq i ka thënë KDMLNj – së se ndaj tij po bëhet presion dhe këtë ndalim dhe marrje në pyetje e konsideron si presion për frikësim për shkak të angazhimit të tij politik dhe qëndrimit kundërshtues ndaj veprimeve të LS dhe ekstremistëve të të gjitha ngjyrave.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë edhe më parë ka ngritur zërin ndaj presioneve që janë bërë Sllobodan Petroviqit, aktualisht në mandatin e katërt si deputet i Kuvendit të Kosovës, dy mandate në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe që nga themelimi, Kryetar i Partisë Liberale Serbe. Në zgjedhjet e fundit në Kosovë është bërë presion nga ekstremistët serbë ndaj z. Petroviq dhe disa antërë të PLS u patën keqtrajtuar fizikisht për çka KMDLNj pati reaguar publikisht duke e denoncuar si kërcënim dhe dhunë ndaj serbëve të Kosovës që janë dëshmuar se janë institucionalistë dhe se i respektojnë ligjet e Kosovës si dhe që janë të integruar , duke bashkëpunuar me shqiptarët dhe komunitetet tjera.
Në kohën kur Serbia kërcënonte se me ushtri do t’i mbrojë serbët (ekstremistët) e Kosovës dhe të cilët i përdorin si mashë, institucionet e Kosovës duhet të reagojnë fuqishëm dhe të dalin në mbrojtje qytetarëve të Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare dhe bindjeve politike ndaj ndalimeve të paligjshme dhe keqtrajtimeve që u bëjnë autoritetet serbe, në kufi dhe gjatë kalimit nëpër Serbi kurse, rasti i ndalimit dhe marrjes në pyetje i deputetit të Kosovës, z. Sllobodan Petroviq është rast eklatant i shkeljes elementare i të drejtave të njeriut, lirisë së lëvizjes dhe ndalimit arbitrar.
KMDLNj fton të gjitha organizatat për të drejtat e njeriut në Kosovë dhe Serbi të reagojnë kundër dhunës psikike ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës z. Petroviq sikur që kërkon nga organizatatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ta ngrejnë zërin e protestës dhe të kundërshtojnë presionin që Serbia ua bënë serbëve të Kosovës në përgjithësi kurse, në rastin konkret z. Petroviq në veçanti.
KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri i Kosoës z. Ramush Haradinaj që këto shqetësime dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës t’i adresojë te faktorët ndërkombëtarë për faktin se po ndikojnënë ngritje të tensioneve dhe po shkaktojnë pasiguri te qytetarët serbë të Kosovës që janë të integruar apo duan të integrohen në institucionet e Kosovës.