KMDLNj ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta ruajnë neutralitetin për zhvillimet në Turqi.
“Me rastin e dyvjetorit të zhvillimeve në Turqi që njëra palë e konsideron si përpjekje për grushtet kurse pala tjetër përpjekje për demokratizim të Turqisë, organizata shtetërore turke për zhvillim TIKA organizoi manifestime përkrahëse në Prizren ( ku komuniteti turk është në numër më të madh se në komunat tjera) dhe në Prishtinë nën siglën për mbrojtje të demokracisë dhe në përkrahje të Presidentit Erdogan. Ky manifestim u organizua si aktivitet i shoqërisë civile në të cilën morën pjesë edhe personalitete të larta politike kosovare sikur që ishin ish – presidentët , Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga sikur edhe personalitete tjera të jetës politike që dje e konsideronin Erdoganin autokrat dhe shkelës të të drejtave të njeriut dhe të demokracisë. Ishte shumë aktive edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë , znj. Kiliç që edhe mund të kuptohet nëse e kemi parasysh angazhimin e saj gjatë kidnapimit dhe dorëzimit shtetit turk të gjashtë qytetarëve turq (kishte edhe me dyshtetësi), me leje të rregullt qëndrimi dhe leje të rregullt pune në Kosovë në një periudhë disavjeçare e që cilësoheshin si përkrahës të Fetullah Gylenit , kundërshtar politik i Erdoganit. Bartësit të pozitave të larta shtetërore të Kosovës kanë përgjegjësi për sjelljet e tyre edhe pas përfundimit të mandatit aq më parë që gëzojnë përfitime përrallore deri në fund të jetës , për veten e tyre dhe familjet . Ata duhet , gjatë aktiviteteteve si ish- presidentë e në atë cilësi e shetisin botën dhe realizojnë takime në Kosovë , ta përfaqësojnë politikën aktuale të Kosovës dhe jo të rreshtohen dhe anojnë haptas siç vepruan gjatë manifestimeve në përkrahje të presidentit Erdogan.
Pas zhvillimeve të pasqaruara dramatike të 15 korrikut të vitit 2016 në Turqi , KMDLNj pati dalë me një ftesë publike duke kërkuar nga shteti i Kosovës që të ruaj neutralitetin duke mos u rreshtuar pas asnjërës palë në konflikt dhe duke konsideruar se kjo ishte dhe është çështje eksluzivisht e brendshme e Turqisë. Kjo kërkesë u ripërsërit përsëri kur në Prizren u arrestua z. Orsoj, i cilësuar si gylenist nga autoritetet turke që kërkuan ekstradimin e tij. Zoti Orsoj u mbajtë një kohë në paraburgim por se pas reagimit të fuqishëm të shoqërisë civile dhe opinionit , u lirua dhe nuk u ekstradua në Turqi. Së fundi , në një terr informativ krejtësisht të kontrolluar nga disa segmente të autoriteteve të Turqisë (politika e nivelit të lartë , shërbimi informativ dhe kundërinformativ turk , ambasada e Turqisë në Kosovë , aeroprti i Prishtinës “ Adem Jashari “ që menaxhohet nga një kompani turke dhe francezo – amerikane , dhe të Kosovës ( Ministria për Punë të Brendshme , Ministria për Punë të Jashtme , një segment i AKI –së dhe një segment i presidencës ) , u kidnapuan – arrestuan gjashtë ( 6 ) shtetas turq dhe në kundërshtim me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut iu dorëzuan autoriteteve turke duke u identifikuar , në planin ndërkombëtar si shkelës dhe dhunues të të drejtave të njeriut. Çështja e përgjegjësisë nga ana kosovare u lokalizua me dorëheqjet e imponuara të ministrit Sefaj dhe ish – shefit të AKI –së në ndërkohë që urdhërdhënësit në hije mbetën të paprekur kurse nga zinxhiri i krimit të organizuar të Turqisë nuk e pësoi askush madje as segmenti më kriminal i këtij zinxhiri , pjesa turke e menaxhmentit të aeroportit të Prishtinës për të cilën KMDLNj pati propozuar të zhvillohen hetimet dhe pas sigurimit të përgjegjësisë eventuale , t’i mirret leja e punës. Njëra ministri që e vërtetoi se nga ky aeroport ishte një aterim dhe fluturim i dyshimtë kërcënoi se aeroprti mund të dënohet me para por se as kjo nuk ndodhi . Pas presionit të opinionit dhe duket për qëllime dhe nevoja politike u formua një komision hetimor parlamentar për “ rastin e 6 gylenistëve “ dhe i cili skajshmërisht kompromitohet pas pjesëmarrjes së disa politikanëve në manifestim të përkrahjes së presidentit Erdogan.
Nëse shtetasit e Kosovës të komunitetit turk rreshtohen pas një politikani turk , pas një partie apo qeverie duke votuar për ta dhe duke iu dhënë përkrahje publike ( sipas ligjeve të Kosovës ) mund dhe duhet të kuptohet dhe të pranohet si shprehje e vullnetit demokratik të tyre , prania e ish – presidentëve të Kosovës , Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga janë veprime të papërgjegjshme që e dëmtojnë interesin e Kosovës në planin ndërkombëtar . Këta dy ish – presidentë nuk kanë marrë pjesë në një aktivitet humanitar por në një aktivitet krejtësisht politik duke anuar në anën e presidentit Erdogan që është e palejueshme dhe e pamoralshme nga këndi i intereseve strategjike të Kosovës. Është dyfytyrësi që , në njërën anë të gjykoni kidnapimin e 6 gylenistëeve duke e cilësuar ( me të drejtë ) si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare kurse , në anën tjetër të merrni pjesë aktive në manifestimpërkrahjen për presidentin Erdogan. Nuk është interes i Kosovës të rreshtohet në njërën anë apo palën “ fituese “ por ta ruaj neutralitetin e që këtë nuk e kanë bërë , as ish – presidentët e as kryetarë të disa partive politike si dhe disa deputetë !
KMDLNj është kundër vazhdimit të gjuetisë ndaj të të cilësuarve si gylenistë dhe kërkon që ndaj tyre të veprohet sikur që veprojnë shtetet demokratike dhe në përputhje me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut .
KMDLNj kërkon që të ndërpriten kërcënimet për mbyllje të institucioneve arsimore që financohen nga lëvizja FETO , për shkaqe politike siç po veprohet tani.
KMDLNj e përkrah parimin e lejimit të konkurrencës , si mundësi dhe mendësi demokratike dhe në këtë kontekst kërkon që nxënësit apo studentët të përcaktohen se ku duan të shkollohen ; në institucionet e përkrahura nga FETO apo në institucionet MARIF që janë institucione të shtetit turk dhe që përkrahen nga Erdogan. Duhet të lejohet një garë e barabartë dhe pa ndikime apo kërcënime politike”, thuhet në reagimin e MDLNj-së.