Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas publikimit të raportit për ekspertizën e vdekjes së Astrit Deharit.
Ata përmes një komunikate kanë kërkuar prokuroria, hetuesia, Ministria e Drejtësisë që ekspertët mjekoligjorë, të angazhuar nga familja Dehari dhe VV të kenë qasje në të gjitha të dhënat që do t’u ndihmonin në përpilimin e një raporti profesional e që do të kontribuonte në zbardhjen e rastit.
Komunikata e plotë:
Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha me rekomandim të Inspektoriatit të Burgjeve dhe duke u mbështetur në raportin e këtij Inspektoriati suspendoi nga detyra ushtruesin e detyrës të drejtorit, dy mbikëqyrës të lartë dhe një oficer të Qendrës së Paraburgimit në Prizren deri në zbardhjen e rastit pas së cilës duhet të caktohet dhe përgjegjësia penale për ata që dëshmohet se kanë pasur rol të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë për vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit e cila tani, nëse i referohemi Kryeprokurorit , z. Sylë Hoxha cilësohet si vetëvrasje.
KMDLNj, menjëherë pas këtij rasti tragjik ka kërkuar që pikërisht këta persona të japin dorëheqje, si akt moral, në të kundërtën do të duhej të suspendohen nga Ministria e Drejtësisë, deri në përfundim të hetimeve. KMDLNj e mirëpret dhe përkrah raportin e Inspektoriatit të Burgjeve dhe vendimin e ministres Hoxha për suspendimin e zyrtarëve korrektues dhe menaxhues të qendrës së paraburgimit në Prizren dhe shpreson se ky suspendim do të kontribuojë në vazhdimin e hetimeve dhe zbardhjen e rastit në fjalë që është interes i të gjitha palëve që janë të interesuara të arrihet drejtësia dhe vënia para përgjegjësisë ligjore e të gjithë atyre që u dëshmohet fajësia pavarësisht statusit të tyre dhe pozitat që i mbajnë.
KMDLNj bënë ftesë publike që të mos pengohet vazhimi i hetimeve, që të mos paragjykohet fajësia e askujt pa vendim të një gjykate kompetente dhe të mos kushtëzohet vazhdimi i hetimit por që kjo të bëhet në përputhje me ligjet në fuqi.
KMDLNj mbështet çdo kërkesë për superekspertizë, jo pse dyshon në raportin e autopsisë e bërë nga ekspertët e mjekësisë ligjore kosovar në Prishtinë (KMDLNj nuk ka kapacitet profesional për të bërë hetime të tilla mjekoligjore), në prani të ekspertëve mjekoligjorë nga Shqipëria dhe Anglia , Dr. Besim Ymaj dhe Dr. Besim Latifaj siç kanë kërkuar familja Dehari dhe VV sikur edhe avokati të familjes Dehari , z. Tomë Gashi që ka përvojë të gjatë në trajtimin e këtyre rasteve por aty ka qenë edhe znj. Hatixhe Popovci, anëtare e VV – së. Pikërisht pse ky raport kontestohet nga familja Dehari dhe VV, KMDLNj përkrahë edhe një ekspertizë tjetër, si dhe shterrjen e të gjitha mundësive që do të ndihmonin në zbardhjen e rastit dhe heqjen e të gjitha dyshimeve. Sigurisht se pas raporteve nga forenzika dhe hetimeve të tjera do të kemi një situatë më të qartë dhe do të identifikohen më lehtë ata që kanë përgjegjësi për humbjen e jetës të një të paraburgosuri që është dashur të mbrohej nga shteti , për aq kohë sa gjendet në paraburgim.
KMDLNj e sqaron opinionin se për të privuarit nga liria që gjenden në qendrat e paraburgimit apo qendrat korrektuese përgjegjësia mund të adresohet tek Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë kurse për të ndaluarit në stacione policore apo qendrat e ndalimit për 48 orë përgjegjësi kanë Policia e Kosovës dhe Ministria për Punë të Brendshme.
KMDLNj kërkon që të merren shumë seriozisht mendimet, vlerësimet dhe raporti i mjekoligjorëve nga Shqipëria dhe Anglia që janë caktuar nga familja Dehari dhe VV sepse ata janë profesionistë në fushën e patologjisë dhe mjekësisë ligjore gjatë vazhdimit të hetimeve për zbardhjen e rastit Dehari sikur që fton ata që nuk janë profesionistë në këtë fushë të përmbahen nga komentet dhe interpretimet që vetëm shkaktojnë huti duke kontribuar në mjegullimin e rastit për të cilin nuk kanë kompetencë profesionale.
KMDLNj, që në raportin e parë ka konstatuar që koha kur ka qëndruar i ndjeri Astrit Dehari, si i paraburgosur, i vetëm kur të tjerët kanë dalur në shëti – ajrim ka qenë kohë kritike që ka përfunduar me fatalitet dhe ka qenë lëshim profesional mungesa e mbikëqyrjes së shtuar të dhomës në të cilën ka qenë Astrit Dehari. Për këtë ka kërkuar përgjegjësi duke mos e paragjykuar rastin se a është vrasje apo vetëvrasje. Tash e kemi një qëndrim të Prokurorisë dhe Kryeprokurorit Hoxha që rastin e cilëson si vetëvrasje e që kundërshtohet nga familja Dehari, VV dhe avokati Gashi ndërsa nuk kemi ende qëndrim të ekspertëve mjekoligjorë të angazhuar nga familja Dehari dhe VV, z. Besim Latifaj dhe z. Besim Ymaj.
KMDLNj e përkrahë Ministrinë e Drejtësisë, përkatësisht ministren Dhurata Hoxha për suspendim të katër zyrtarëve të qendrës së paraburgimit deri në përfundim të hetimeve sikur edhe çdo nismë dhe veprim që do të ndihmonte në zbardhjen e rastit dhe vënien para drejtësisë atyre që kanë kontribuar, ndihmuar, shtytur apo që nuk e kanë penguar përfundimin me fatalitet të të paraburgosurit Astrit Dehari. KMDLNj vlerëson se Ministria e Drejtësisë sikur edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë qenë transparent në menaxhimin e situatës së krijuar dhe bashkëpunues duke ua ofruar të gjitha mundësitë organizatave monitoruese ta bëjnë hetimin e rastit nga aspekti i të drejtave të njeriut për rastin Dehari.
KMDLNj përkrah dhe inkurajon angazhimin e organizatave ndërkombëtare të drejtave të njeriut si Amnesty Inernational, Human Rights Watch, FIDH , Federata Ndërkombëtare e Helsinkut si edhe ato vendore që ta japin kontributin e tyre në zbardhjen e rastit nga aspekti i të drejtave të njeriut.
Gjithashtu , KMDLNj kërkon nga Prokuroria, hetuesia, Ministria e Drejtësisë që ekspertët mjekoligjorë , të angazhuar nga familja Dehari dhe VV të kenë qasje në të gjitha të dhënat që do t’u ndihmonin në përpilimin e një raporti profesional e që do të kontribuonte në zbardhjen e rastit.
Çdo përpjekje për pengimin e hetimeve, nga kushdo qoftë tregon se ka interesim të mëshehet e vërteta dhe të mbrohen ata që janë përgjegjës për këtë rast tragjik. Vetëm hetimi i papenguar, i pandikuar politikisht, ku të gjithë, pa asnjë përjashtim , nëse ofrojnë fakte do të kontribuojnë në zbardhjen e rastit, arritjen e drejtësisë përmes një procesi hetimor dhe gjyqësor transparentë. Nga përgjegjësia nuk duhet të përjashtohet askush, nëse duam drejtësi.