Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nëpërmjet një reagimi ka thënë se dorëheqja e fundit e kryetarit të gjykatësve të EULEX-it, Malcom Simmons, i cili e akuzon këtë EULEX-in për korrupsion dhe politizim është një mundësi e bazuar që të kërkohet rishqyrtimi i të gjitha rasteve të gjykimeve ku dyshohet se janë marrë nën ndikime dhe urdhëra politike sikur edhe se janë korruptuar.
KMDLNj është i sigurt se ndërkombëtarët e EULEX –it nuk do të ishin në gjendje të bënin këtë krim kundër drejtësisë pa ndihmën e vendorëve, prandaj kërkohet të hetohet sekserizmi i disa avokatëve dhe të tjerëve që ndërmjetësojnë në shitjen e pafajësisë nga EULEX, dhe eliminimin e fajësisë për eksponentë të krimit të nivelit të lartë.
“Edhe disa hetues e tash edhe Simmons kanë deklaruar se “rasti Limaj” është rast politik dhe se ky rast është kurdisur që, përmes procesit të montuar gjyqësorë z. Limaj (dhe të tjerët nga proceset tjera) të dënohen dhe të eliminohen nga skena politike. KMDLNj kërkon nga Simmons dhe denoncuesit e tjerë të bëjnë publik faktin se kush ka urdhëruar eliminimin politik të z. Limaj dhe të dënuarve tjerë përmes proceseve të pandershme dhe të pororsitura gjyqësore në mënyrë që drejtësia të vendoset në vend dhe të rehabilitohen personat e diferencuar dhe të linçuar publikisht”, thuhet në reagim.
Reagim i KMDLNj –së:
A është shndërruar EULEX në mision për diferencime dhe ekzekutime politike
Pas një misioni krejtësisht të dështuar siç ishte UNMIK, ndërkombëtarët vendimmarrës kërkuan një mision tjetër sidomos në fushën e sundimit të ligjit që llogaritej edhe dështimi kapital i UNMIK –ut. Misioni i ri, shumë i kushtueshëm pretendohej të themelohej mbi “mbetjet mortore jofunksionale të misionit paraprak” duke premtuar ngritjen e efikastitetit të gjyqësorit, forcimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës përmes konsolidimit të sistemit gjyqësorë vendorë. Për këtë arsye, botërisht deklarohej si mision këshilldhënës dhe monitorues dhe, si me turp pranonte disa raste shumë të rralla ku do të kishte fuqi ekzekutive ndërsa , në realitet , EULEX në Kosovë ishte 100% vendimmarrës në teatrin e kukullave juridike dhe politike të Kosovës. Të lodhur dhe të dëshpëruar me UNMIK- un që më shumë e konsideronin partnerë të Serbisë, qytetarët e Kosovës ushqenin shpresa dhe pritje të mëdha te misioni i EULEX-it ( i ashtuquajturi mision për sundim të ligjit në Kosovë) e që po del të jetë mision krejtësisht i dështuar dhe i cili ligjin (drejtësinë) po e keq-përdorë jo për të vendosur dhe ndarë drejtësi por, për të diferencuar dhe eliminuar figura të rëndësishme politike, kryesisht të krahut të luftës.
Fillimi i këtij misioni ishte i përshkruar me një shfaqje të pazakontë, nën një urë në zonën industriale ku ofruan një shfaqje striptizi duke i zhdeshur uniformat e UNMIK –ut dhe duke veshur uniformat e EULEX-it. Realisht, pjesa dërmuese e stafit prokurorial, gjyqësorë dhe administrativ u konvertuan duke u shndërruar në EULEX dhe në këtë mënyrë siguruan paga të majme, imunitet gjithpërfshirës dhe jetë përallore, sikur të ishin aktorë të Fellinit në Dolce Vita.
Në një mjedis ku korrupsioni u bë shenjë identifikuese, ku pasuria e bërë nga korrupsioni dhe krimi u përqëndruan në disa individë dhe familjarë të tyre, ku varfëria u bë fat dhe fatkeqësi e shumicës së qytetarëve të Kosovës, ku nepotizmi u shndërrua në standard moral dhe ku tenderët ndaheshin në mesin e të lartpërmendurve duke shkatërruar bizneset dhe zhvillimin ekonomik, premtim i EULEX se do të arrestojë “peshqit e mëdhenj” pati përkrahje të gjërë dhe ngjalli shpresat se do të vendoset një rregull në shoqërinë kosovare duke i dënuar keqbërësit dhe duke krijuar hapësirë për ata që duan të jetojnë nga puna e tyre.
Realisht, EULEX, që nga fillimi dëshmoi se është vazhdimësi e stërkeqjes së UNMIK –ut. Kryesisht merrej dhe shkaktonte efekte propagandistike me ç ‘rast i mbulonte të këqijat brenda vetes dhe, duke furnizuar media të caktuara “me materiale të besueshme” krijonte kushte për linçime publike të personave të caktuar të cilët pastaj i arrestonte duke organizuar procese maratonike gjyqësore dhe duke mos qenë në gjendje të siguronte prova të mjaftueshme pas së cilës nxirrte vendime gjyqësore ku, në disa raste kishte shkelje flagrante të të drejtave të personave të dënuar.
Janë të njohura dhjetëra raste kur të punësuarit brenda misionit deklaronin për keqpërdorime dhe shkelje të ligjit nga ana e vet EULEX –it, mirëpo këto dëshmi ose u heshtën ose u margjinalizuan duke i larguar nga puna apo duke ua hapur hetimet e brendshme denoncuesve të këtyre shpërdorimeve. Dorëheqja e fundit e Kryetarit të gjykatësve të EULEX –it, Malcom Simmons i cili e akuzon këtë mision për korrupsion dhe politizim është një mundësi e mirë dhe e bazuar që të kërkohet rishqyrtimi i të gjitha rasteve të gjykimeve ku dyshohet se janë marrë nën ndikime dhe urdhëra politike sikur edhe se janë korruptuar. Edhe disa hetues e tash edhe z. Simmons kanë deklaruar se “rasti Limaj” është rast politik dhe se ky rast është kurdisur që, përmes procesit të montuar gjyqësorë z. Limaj (dhe të tjerët nga proceset tjera) të dënohen dhe të eliminohen nga skena politike. Kjo është metodë e diferencimit politik që është përd orur në ish –Jugosllavinë, Serbinë, shtetet komuniste por duket këto shtete po dalin amatore krahasuar me montimet politike dhe poshtërsitë e UNMIK dhe EULEX.
Për këtë arsye, KMDLNj kërkon nga z. Simmons dhe denoncuesit e tjerë të bëjnë publik faktin se kush ka urdhëruar eliminimin politik të z. Limaj dhe të dënuarve tjerë përmes proceseve të pandershme dhe të pororsitura gjyqësore në mënyrë që drejtësia të vendoset në vend dhe të rehabilitohen personat e diferencuar dhe të linçuar publikisht. Rastin e gjykimit të z. Limaj si edhe disa raste të tjera, pas denoncimeve dhe dëshmive të z. Simmons dhe të tjerëve, KMDLNj nuk i konsideron gjykime të paanshme, të pandikuara politikisht, të drejta prandaj edhe vendimet do të jenë të pabesueshme dhe të padrejta m, në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare që garantojnë gjykime të drejta.
KMDLNj është i sigurt se ndërkombëtarët e EULEX –it nuk do të ishin në gjendje të bënin këtë krim kundër drejtësisë pa ndihmën e vendorëve, prandaj kërkohet të hetohet sekserizmi i disa avokatëve dhe të tjerëve që ndërmjetësojnë në shitjen e pafajësisë nga EULEX, dhe eliminimin e fajësisë për eksponentë të krimit të nivelit të lartë. Këto raste ishin përfolur edhe më heret. Për KMDLNj –në është i papranueshëm transformimi i EULEX –it, nga misioni për sundim të Ligjit, në njësi elite për eliminime politike përmes keqpërdorimit të mandatit.