Lidhur me rrahjen e një të riu në stacionin policor të Kosovës, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka thënë se është një veprim i rëndë që bie ndesh me të drejtat e njeriut.
Sipas Këshillit, rrahja e të arrestuarve në stacion policor pa paraqitur rrezik është shkelje e rëndë dhe kjo praktikë e mbrapshtë duhet të ndërpritet.
“KMDLNj kërkon të bëhen hetime edhe ndaj policëve që nuk ndërmarrin asgjë për të penguar dhunën ndaj qytetarëve të ndaluar apo që nuk e denoncojnë këtë dhunë. KMDLNj vlerëson se konfliktet verbale dhe jo vetëm verbale midis qytetarëve dhe Policisë së Kosovës bëhen kryesisht për dy arsye: gjatë shqiptimit të gjobave për kundërvajtje në trafik dhe gjatë shqiptimit të gjobave për mosrespektim të masave anti-COVID: mbajtja e distancës sociale, vendosja e maskave, mosrespektimi i kufizimit të lirisë së lëvizjes dhe ndalimi i grumbullimit të shumë personave”, thuhet në njoftimin e tyre.
KMDLNj thotë se kanë deklaratën e plotë e të riut që është rrahur nga një zyrtar policor në stacion dhe raportin e mjekut për dëshminë e dhunës së përdorur.
KMDLNj e ka dërguar rastin në Inspektoratin Policor të Kosovës duke kërkuar hetime në përputhje me mandatin ligjor që e ka ky institucion. KMDLNj e ka të njohur emrin e të rrahurit sikur edhe emrin e policit që i dhunoi të drejtat e njeriut në Stacion të Policisë mirëpo, për shkak se kjo mund të ndikojë në hetimet që po i bënë Inspektorati Policor i Kosovës, këta emra nuk do t’i bëjë publik”, thuhet tutje.
KMDLNj ka ftuar qytetarët e Kosovës që të sillen në përputhje me ligjin, të respektojnë policinë ndërsa, kur u shkelen të drejtat, t’i paraqesin në organet gjegjëse.