KMDLNj kërkon të pezullohet vendimi për 17 hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës

Prishtinë | 24 Jan 2018 | 12:48 | Nga

Përfaqësues të KMDLNj –së janë takuar me ministrin për Punë të Brendshme Flamur Sefaj në kuadër të mandatit për monitorim të Qendrave të Ndalimit dhe Policisë së Kosovës në bazë të një Marrëveshjeje Bashkëpunimi dhe i përkrahur nga KFOS.

Bashkëpunimi me Ministrinë për Punë të Brendshme dhe Policinë e Kosovës sipas përfaqësuesve të KMDLNj –së është afatgjatë dhe mjaft i suksesshëm. KMDLNj, në këtë takim vlerësoi gatishmërinë MPB dhe PK për të respektuar dhe lejuar përmbushjen e mandatit monitorues duke mos e penguar në asnjë rast të vetëm dhe duke dëshmuar transparencë për të gjitha kërkesat e monitoruesve të KMDLNj –së.

Përfaqësues të KMDLNj –së e vlerësuan profesionalizmin e Policisë së Kosovës sidomos gjatë trajtimit të të ndaluarve gjatë ndalimit 48 orësh ndonëse kushtet fizike nuk janë të mira , as për të ndaluarit e as për policët që kujdesen për të ndaluarit. Në këtë kontekst KMDLNj propozoi që Qendra e Ndalimit në Prishtinë të zhvendoset në një lokacion tjetër përkatësisht të ndërtohet një objekt në hapësirat e ish Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë.

KMDLNj e informoi ministrin Sefaj për bashkëpunim shumë të mirë me Inspektoratin Policor të Kosovës ku i adreson ankesat e qytetarëve për sjellje eventuale joprofesionale të policëve. Inspektorati Policor i Kosovës gjithmonë është përgjigjur në çdo kërkesë të KMDLNj –së për çështjet e adresuara. KMDLNj, edhe më parë ka kërkuar që të gjendet një lokacion i përshtatshëm për Inspektoratin Policor dhe gjithashtu ka kërkuar të hapet një zyrë në kryeqytet ku qytetarët do të mund t’i paraqesin rastet , pa pasur nevojë të shkojnë në Inspektorat sepse është larg qytetit, nuk ka një trafik të rregullt prandaj shumë raste mbesin të pa lajmëruara.

Si pikë e veçantë e takimit ishte shqyrtimi i rastit të 17 hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës që ndonëse kontratat ishin nënshkruar nga Kryeshefi Ekzekutiv i IPK dhe kandidatët e pranuar ishin lajmëruar për ditën dhe orën e nënshkrimit, ky proces u pezullua nga ministri Sefaj shkaku se kandidatët që nuk ishin pranuar kishin denoncuar tërë procesin e rekrutimit, deri te përzgjdhja e kandidatëve (17) si të parregullt. Pas këtij pezullimi, KMDLNj pati reaguar duke e vlerësuar si pezullim politik dhe ndërhyrja në punën dhe pavarësinë e Inspektoratit Policor të Kosovës aq më parë që pezullimi ishte bërë me urgjencë.

KMDLNj nuk e paragjykon mundësinë se gjatë konkurimit dhe përzgjedhjes mund të ketë pasur lëshime (sikur në të gjithë konkurset në Kosovë që në shumicën e rasteve shpallen vetëm formalisht) mirëpo e sheh si të papranueshëm faktin që 17 kandidatë të pranuar pas procesit të rekrutimit që ka zgjatur afërsisht tre (3) muaj e gjysmë të eleminohen si tërësi – grup kur ka pasur mundësi të hetohen rastet ku dyshohet të ketë pasur manipulime. Në këtë rast është përjashtuar parimi i përgjegjësisë individuale që është standard juridik, ligjor dhe moral edhe në raste shumë më të rënda dhe është zbatuar eliminimi grupor që është i papranueshëm nga aspekti ligjor dhe i të drejtave të njeriut. Kandidatët e pakënaqur nuk i kanë kaluar të gjitha nivelet e ankimimit dhe kontestimit të parapara me ligj për këtë arsye KMDLNj ka vlerësuar se gjatë pezullimit të nënshkrimit të kontratave kemi të bëjmë me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut të atyre që ishin pranuar dhe se nuk ka pasur bazë ligjore për pezullim të këtij procesi.

Raporti i auditorit të MPB për parregullsinë eventuale të procesit të rekrutimit ka karakter rekomandues dhe nuk përbënë bazë ligjore për pezullim dhe KMDLNj nuk e ka shënuar asnjë rast në Kosovë që pas raportit të auditorit është pezulluar procesi i rekrutimit dhe pranimit sepse, po të zbatohej ky parim në praktikë shumë bartës të pozitave të larta udhëheqëse do të mbesnin pa punë.

KMDLNj, edhe tani vlerëson se ndaj 17 të pranuarve si Policë Hetues në IPK po u bëhen shkelje drastike të drejtave të njeriut dhe se të përjashtuarit do ta fitojnë çdo kontest gjyqësorë. Nëse i tërë procesi i rekrutimit paska qenë i parregullt atëherë si mund të ndodhë që askush të mos merret në përgjegjësi.

Ministri Sefaj premtoi përkrahje për punën e KMDLNj –së në mënyrë që , përmes problemeve të identifikuara të shkeljeve eventuale të Policisë së Kosovës, në raport me qytetarët dhe rekomandimeve konkrete të arrihen të respektohen të drejtat e njeriut të personave të ndaluar në përputhje me standardet ndërkombëtare. Respektimi i të drejtave të njeriut të qytetarëve të arrestuar, trajtimi i dinjitetshëm i tyre është synim i Policisë së Kosovës dhe në këtë drejtim ministri Sefaj kërkoi përkrahje nga KMDLNj, organizatat tjera monitoruese si dhe nga qytetarët e Kosovës. Bashkëpunimi reciprok është parakusht për sjellje të mirë të Policisë së Kosovës sikur që edhe sjellja e mirë e qytetarëve në raport me Policinë ndihmon shumë për ngritjen e besimit në Policinë e Kosovës.

Ministri Sefaj u zotua se nuk do të lejojë asnjë shkelje që eventualisht do të bëjnë policët e Kosovës sikur do të angazhohet që statusi material i policëve të përmirësohet duke ofruar të dhëna se për kohën sa është në krye të kësaj ministrin ka lëvizje pozitive gjë që edhe po reflektohet në punën e Policisë së Kosovës. Sa i përket pezullimit të procesit të rekrutimit për 17 hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës, ministri Sefaj i deklaroi KMDLNj –së se ka vepruar në përputhje me mandatin dhe autorizimin që ia njeh ligji për çka KMDLNj nuk u pajtua duke rivlerësuar si vendim politik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme