KMDLNj kundër shtrenjtimit të rrymës, fton qytetarët për mobilizim

Prishtinë | 23 Mar 2023 | 15:52 | Nga Ekonomia Online


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas vendimit të sotëm të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) me të cilin do të ketë rritje të çmimit të faturave për energji elektrike prej 15 për qind.

Përmes një komunikate për medie, KMDLNj ka thënë se qytetarët e Kosovës të pakënaqur me këtë shtrenjtim të rrymës, nuk duhet të ndalen vetëm me reagim të çastit por sipas KMDLNj-së të organizohen përmes aktivizmit qytetar në mbrojtje të interesave të tyre.

“Qytetarët e Kosovës me të drejtë të pakënaqur me këtë shtrenjtim të rrymës e që do të përcillet nga ngritja zinxhirore e çmimeve të artikujve tjerë dhe të shërbimeve, nuk duhet të ndalen vetëm me një reagim të çastit në KMDLNj apo te Avokati i Popullit, por duhet të organizohen, përmes aktivizmit qytetar në mbrojtje të interesave të tyre aq më parë që kategoritë e cenueshme; pensionistët, përfituesit e skemave pensionale, veteranët dhe invalidët e luftës, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që nga fillimi i zbatimit për përkrahje financiare, kompensimet apo lëmoshat sociale që i marrin, nuk janë rritur aspak në ndërkohë që çmimet kanë shkuar në qiell”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit të KMDLNj-së, ky paralajmërim është bërë kohë më parë.

“Kohë më parë KMDLNj paralajmëroi se ZRRE, ky institucion diskriminues ndaj qytetarëve dhe favorizues ndaj KESCO, do të miratojë rritjen e faturave për energji elektrike në masë prej 13.4 % e që doli të jetë i vërtetë por tash në masë prej 15 %. Realisht, rritja e çmimit për faturat e energjisë elektrike nuk mbetet një rast i izoluar por, pashmangshëm përcillet me rritje të çmimeve të artikujve të tjerë, kryesisht artikujve elementarë dhe të domosdoshëm për ekonomitë familjare që, edhe ashtu janë të cenueshme dhe me vështirësi po i përballojnë edhe çmimet aktuale. Në të njëjtën kohë Qeveria e Kosovës, në mënyrë shumë bujare vazhdon t’ua paguajë rrymën serbëve në Veri të Kosovës duke shpenzuar afërsisht 63 milionë euro në vitin 2022 për këtë akt “bamirësie“ për qytetarë që janë deklaruar se janë shtetas të një shteti tjetër dhe që pamëshirshëm e shpenzojnë rrymën, jo vetëm për nevoja familjare por edhe për aktivitete kriminale siç janë prodhimi i kriptovalutave dhe kultivimi i lëndëve narkotike që kërkojnë sasi të mëdha të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme