KMDLNj në një vizitë që i bëri drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, shprehu përkrahjen për vendimin që zyrtarët policorë gjatë orarit të punës të mos frekuentojnë tempujt fetarë të uniformuar por këtë të drejtë ata mund ta realizojnë jashtë orarit të tyre të punës.
“Gjithashtu, ndalesa e qëndrimit të zyrtarëve policorë në kafenetë është veprim i duhur dhe ndikon që policët të jenë më të pranishëm në rrugë dhe vendet e tyre të punës për çka edhe janë të thirrur. Numri i vogël i zyrtarëve policorë dhe koncentrimi në qendër janë shqetësime për të dy palët. Drejtori pohoi se janë duke u angazhuar për ndryshime në këtë aspekt në kuadër të rregullores së punës dhe ligjit. Gjithashtu, i pohoi përfaqësuesve të KMDLNj – së se do të angazhohet që zyrtarëve policorë do u krijojë kushte më të mira për punë, dhe për ngrënien e ushqimit pas vendimit për mos frekuentim të kafeneve dhe restauranteve,” thuhet në një komunikatë për medie.
KMDLNj kërkoi që të rritet numri i policëve gjatë ndërrimit të natës sepse në këtë mënyrë rritet siguria e qytetarëve.
Ishte kërkesë e KMDLNj –së që të mirëmbahet baza e të dhënave në fushën e trafikut në mënyrë që qytetarët që i shlyejnë të mos detyrohen të paraqiten në Stacionin e Policisë për ta dëshmuar se e kanë paguar dënimin por se kjo shlyerje duhet të bëhet në mënyrë automatike.
KMDLNj insiston që për Policinë të krijohen mundësitë pë sigurim shëndetësorë pasi kemi të bëjmë me një shërbim specifik dhe të domosdoshëm.
Ndryshimet pozitive që i ka propozuar drejtori i përgjithshëm Rahit Qalaj e që ndikojnë në rritjen e efikasitetit të Policisë së Kosovës përmes profesionalizimit të mëtutjeshëm thuhet se e kanë përkrahjen e plotë të KMDLNj –së.
KMDLNj do të kërkojë nga institucionet përgjegjëse për të shtuar buxhetin për Policinë e Kosovës gjatë planifikimit të ri buxhetor.
Të dy palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e mirë që kanë pasur deri më tani dhe i njejti të vazhdojë edhe në të ardhmen.