Këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut (KMDLNJ) ka reaguar për zonat e mbrojtura, duke pasur për bazë dy raste të ndodhura së fundi; ndërprerjen e punimeve në rrugën Plavë-Deçan me kërkesë të Manastirit të Deçanit, si dhe reagimin e banorëve të fshatit Potërç të Klinës për vizitën e serbëve të zhvendosur.
“KMDLNj kërkon të sqarohet nëse rruga ekzistuese ku kanë filluar punimet është në kuadër të zonës së mbrojtur apo nuk është. Nëse është pjesë e zonës së mbrojtur atëherë ligjërisht Kisha ortodokse serbe dhe Sava Janjiq, OSBE dhe Ambasada amerikane kanë të drejtë në kërkesat e tyre për ndërprerjen e punimeve ndërsa, nëse kjo rrugë është vetëm 1mm., jashtë zonës së mbrojtur , atëherë punimet duhet të vazhdojnë. Nga aspekti i të drejtave të njeriut, çdo pengim i lirisë së lëvizjes , për të gjithë dhe pa bërë dallime, është shkelje flagrante e këtyre të drejtave si dhe konsiderohet e papranueshme”,thuhet në reagimin e këtij këshilli.
KMDLNj i konsideron krejtësisht të panevojshme zhvillimet në Potërç të Klinës dhe sipas këtij këshilli përpjekja për të penguar kthimin e personave të zhvendosur është e papranueshmedhe nuk mund të arsyetohet me asnjë pretekst.