Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj çështjes së gylenistëve, e cila u riaktializua gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Turqisë ditë më parë në Kosovë.
KMDLNj-ja, përmes reagimit, ka kërkuar që Kosova të mos përzihet në konfliktin midis Erdoganit dhe Gylenit.
Reagimi i plotë:
Gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm të Turqisë , z. Çavushogllu , që i bëri Kosovës dhe disa vendeve të rajonit , u riaktualizua apo u ripërsërit , sipas ministrit turk , kërkesa për mbylljen e shkollave që mbështeten nga Fetullah Gylen e që të tilla ka mjaft në Kosovë dhe rajon sikur që u kërkua që të gjithë shtetasit turq që jetojnë përkohësisht dhe që punojnë me leje pune në Kosovë e të cilët Turqia i konsideron si terroristë meqë , sipas tyre , qëndrojnë prapa grushtetit të dështuar në Turqi duhet të ekstradohen në Turqi . Kjo kërkesë e Ministrit të Jashtëm të Turqisë , nëse është e saktë , është ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran dhe si e tillë është dashur të refuzohet menjëherë duke mos i dhënë fare mundësi ministrit turk që të bëjë një kërkesë të tillë e cila , në thelb është kundër të drejtave të njeriut dhe kundër të gjitha dokumenteve ndërkombëtare dhe kombëtare që e sigurojnë dhe garantojnë strehimin për shkak të përndjekjeve politike , aq më parë që shteti që e parashtron ( apo e kushtëzon ) këtë kërkesë nuk garanton gjykim të paanshëm , të drejtë e as hetime transparente sikur as mbrojtje efektive , në përputhje me standardet ndërkombëtare. Për më keq , kjo kërkesë neveritëse bëhet ende pa përfunduar hetimet për kidnapimin brutal të 6 shtetasve turq të cilët iu dorëzuan autoriteteve turke , në kundërshtim me të gjitha praktikat ndërkombëtare për ekstradimin e atyre që kërkohen nga shtetet përkatëse , pa e përfillur as edhe një normë të vetme të ekstradimit . Në këtë mënyrë , Kosova , për shkak të vendimit dhe veprimit arbitrar të një pjese të udhëheqjes më të lartë politike , u identifkua dhe u fut në listat e shteteve që në mënyrë flagrante i shkelin të drejtat e njeriut e që fatura për këtë krim kundër të drejtave të njeriut pashmangshëm do të vijë më vonë kurse ajo , kapitalja do të jetë e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasbur kur Kosova do ta fitojë të drejtën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Kidnapimi dhe dorëzimi i 6 shtetasve turq që jetonin dhe punonin në Kosovës , pa pasur asnjë presedencë penale dhe kriminale u përpoq të arsyetohet me shkarkimin e dy figurave politike të cilat , sipas KMDLNj –së nuk kanë qenë vendimarrës por vetëm zbatues të një vendimi puro politik nga lart e që aktualisht po i ikin përgjegjësisë , të ish – Ministrit të Brendshëm , z. Flamur Sefaj dhe ish – shefit të AKI –së , z. Driton Gashi të cilët u përdorën si kokë turku për t’i mbuluar veprimet kundër të drejtave të njeriut e që lirisht mund të llogariten veprime kriminale , të bëra në bashkëpunim me palën tjetër , asaj turke.
Pas kërkesës brutale të Ministrit të Jashtëm të Turqisë , nëse i referohemi medieve , për mbylljen e shkollave në Kosovë që mbështeten nga Gylen sikur edhe kërkesa për ekstradim të anëtarëve të lëvizjes FETO e që Turqia i cilëson si terroristë , u rrit shqetësimi dhe frika e anëtarëve të komunitetit turk , shtetas të Turqisë por që kanë edhe shtetësi tjetër që jetojnë dhe punojnë në Kosovë se mund të trajtohen sikur edhe 6 turqit e kidnapuar më parë e në veçanti familjarëve të të kidnapuarve andaj , KMDLNj kërkon nga institucionet përgjegjëse të Kosovës që t’i respektojnë të drejtat e njeriut në përputhje me Kushtetutën e Kosovës si dhe dokumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të mos lejojnë që rasti i kidnapimit të 6 shtetasve turq , kohë më parë të përsëritet për çka edhe kanë dhënë zotime publike gjatë takimit me familjarët si dhe gjatë takimeve me KMDLNj .
Për më tepër , KMDLNj kërkon që të nxirren para organeve të drejtësisë të gjithë ata që kontribuan në kidnapimin e 6 shtetasve turq me leje qëndrimi dhe leje pune të rregulltë dhe e cila leje iu hoq vetëm për të shërbyer si arsyetim për rrëmbimin e tyre dhe dorëzimin autoriteteve turke.
KMDLNj kërkon të hetohet edhe roli i menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar “ Adem Jashari “ e që janë nga Turqia dhe në përputhje me rezultatin e hetimeve të ndërmerren veprime konkrete ndaj tyre duke ua marrë edhe lejen e punës nëse dëshmohet kriminalizimi i aktivitetit të tyre.
Për fund, KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon që Kosova të mos përzihet në konfliktin midis Erdoganit dhe Gylenit por që ta ruaj neutralitetin sepse kjo është çështje ekskluzive e brendshme e Turqisë dhe si e tillë duhet të respektohet edhe nga autoritetet kosovare.