KMMP i Britanisë riakrediton Programin specialistik të MF të Kosovës

Prishtinë | 06 Kor 2016 | 10:20 | Nga

Qendra për Zhvillimin e Mjekësisë Familjare në Kosovë (QZHMFK) ka marrë dje konfirmimin formal për certifikimin e ri- akreditimit ndërkombëtar 3 vjeçar të Programit të shkollimit specialistik të mjekësisë familjare nga Kolegji Mbretëror i mjekëve të përgjithshëm të Britanisë së Madhe (Royal College of General Practioners-RCGP), program ky që udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë.

Siç njofton Ministria e Shëndetësisë, konfirmimi ka ardhur nga profesori, Rich Withnall, kryesues i Panelit akreditues ndërkombëtar të Kolegjit Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe (MRCGP-INT), i cili përmes një shkrese zyrtare ka njoftuar drejtuesit e QZHMF-së se MRCGP-INT ka ri-akredituar për tre vjetët e ardhshme Programin specialistik të Mjekësisë Familjare të Kosovës, program ky që udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë.

Ky ri-akreditim konfirmon që QZHMFK ka arritur të zhvilloj Programin specialistik nga Mjekësia Familjare në pajtim me standardet ndërkombëtare që janë monitoruar dhe vlerësuar formalisht edhe nga ekspertët akreditues nga Britania e Madhe.

Ky rrugëtim ka filluar që më 1999 duke qenë iniciativë tërësisht lokale e mbështetur më pas nga miqtë ndërkombëtarë sikurse OBSH, DFID,  etj.,  dhe më  vonë nga  Lux- Development, përderisa  ky sukses madhor i këtij Programi dhe shëndetësisë  kosovare, është rezultat i punës dhe angazhimit  të jashtëzakonshëm për vite të tëra,  në radhë të parë i trajnuesve në Mjekësi Familjare, të cilët dëshmuan profesionalizëm  të lartë dhe bashkëpunim të ngushtë me ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë.

Kjo e arritur e jashtëzakonshme do të jetë faktor motivues për profesionistët kosovarë në kujdesin parësor shëndetësor dhe më gjerë, përderisa Programi i shkollimit specialistik në Mjekësi Familjare do të shërbejë si udhërrëfyes për reformimin e të gjitha programeve të tjera të shkollimit specialistik në Republikën e Kosovës.

Qytetarët kosovarë do të jenë përfituesit më të mëdhenj, duke pasuar parasysh refleksionet në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, sidomos në Kujdesin Parësor Shëndetësor, që është qëllimi kryesor i politikave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Akreditimi i parë i këtij programi ka ndodhur në maj të vitit të kaluar dhe ka qenë për periudhën një vjeçare.

Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi të punoj në ngritjen e nivelit të performancës së punonjësve shëndetësor, sipas standardeve të pranuara ndërkombëtare.

Të ngjashme