Arianit Koci, avokati i Sami Lushtakut tha se kryetarit të Skenderajt pas lirimit nga burgu i takon kompensim për kohën që kaloi prapa grilave.
Një ditë pasi Gjykata Supreme e Kosovës e tha fjalën e fundit në gjykimin ku Sami Lushtaku akuzohej për krime të luftës, avokati i tij Arianit Koci thotë se Lushtakut duhen t’i shpaguhen vuajtjet që i shkaktoi ky proces.
Lushtaku që ishte arrestuar në maj të vitit 2013 deri më datën 3 korrik kur Gjykata Supreme e Kosovës i dha pafajësinë, pjesën më të madhe të kësaj kohe e kishte kaluar në paraburgim.
Sipas legjislacionit penal në Kosovë, u njihet e drejta e kompensimit të akuzuarve që kanë qëndruar në arrest shtëpiak, paraburgim apo kanë shkuar në vuajtje të dënimit e më pas janë shpallur të pafajshëm.
Avokati i Lushtakut, Arianit Koci në një prononcim për Kallxo.com megjithëse konstaton që Lushtakut asgjë nuk mund t’ia kompensojë 4 vjetët e humbur, thotë se kryetarit të Skenderajt i takon kompensim.
“Burgu është shumë i vështirë kur je i pafajshëm dhe akuzohesh me prova të rrejshme. Sidoqoftë kompensimi ligjor për vuajtjet e shkaktuara me këtë procedim penal të padrejtë i takon Sami Lushtakut. Ne ende nuk e kemi biseduar këtë me Samiun, sepse kemi pasë prioritete të tjera, por kompensimi për dëmin e shkaktuar moral dhe material i takon z. Lushtaku”, tha Koci.
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në maj të vitit 2015 me 12 vjet burg për akuzën e vrasjes.
Mbrojtja e Lushtakut ishte ankuar në Gjykatën e Apelit e cila e kishte liruar nga akuza e vrasjes dhe e kishte dënuar me 7 vjet burg për përgjegjësi komanduese.
Gjykata Supreme e liroi dy ditë më parë Lushtakun. Por edhe pse u lirua nga procesi gjyqësor i njohur si “Drenica 1”, Lushtaku ende është i akuzuar në dy procese tjera të ndara gjyqësore.