Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka mbajtur dëgjim publik për Projekt-Kodin e Procedurës Penale dhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, raporton Ekonomia Online.
Agim Maliqi, gjyqtar i Gjykatës Supreme ka dhënë disa rekomandime për Projekt-Kodin e Procedurës Penale.
Ai ka kërkuar që të specifikohet saktë koha kur duhet të limitohet afati i prokurorit që ta shkruaj kallëzimin penal.
“Në aspektin e Kallëzimit Penal ku dorëzohet nga ana e Policisë në Prokurori dhe sot e kësaj dite nuk është qartësuar sesa këtë kallëzim penal mund ta mbajë në sirtar Prokurori dhe me një far forme ne jemi të mendimit se duhet të limitohet afati se deri kur ky kallëzim penal te prokurori dhe pastaj të fillohet afati i llogaritjes për nisjen e hetimit”.
“Deri në Supreme kemi pasur raste kur ka pasur paqartësi që ky 30 ditëshi i kallëzimit penal nuk është fillim i hetimit por që duhet patjetër të nxirret një aktvendim për fillimin e hetimit, me qëllim që tani të fillojë të llogaritet koha dy vjeçare që është i specifikuar në Kodin e Procedurës Penale aktualisht”.
“Kjo dispozitë nuk duhet t’i lejojë diskrecion të gjerë prokurorit që kushtimisht edhe me vite të tëra mund ta mbajë kallëzimin penal dhe mos ta procedojë”, tha ai, teksa shtoi se ky afat të shkurtohet në 60 ose 120 ditë”.
Kryetari i Odës së Avokatëve, Behar Ejupi, ka kërkuar që në këtë Projekt-Kod të hiqet vendimi për shkarkimin e avokatëve nga seanca, raporton EO.
“Neni 60 që ka të bëjë me vendimin për shkarkimin e mbrojtësit, dhe si Odë e Avokatëve të Kosovës nuk duhet të jetë fare për arsye se është një dispozitë e cila pengon anëtarësinë tonë në ushtrimin e profesionit”, ka thënë ai.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka pyetur nëse rekomandime të tilla janë bërë në kohën kur është votuar ky Projekt-Kod.
“A jeni konsultuar paraprakisht për këto rekomandime sepse janë rekomandime shumë substanciale”, u shpreh ai.
Ndërsa avokati Naim Rudari, tha se pak janë dëgjuar rekomandimet e Odës së Avokatëve të Kosovës.
“Prej momentin që ne kemi ardh në krye të Odës, nuk janë marrë asnjëherë kur edhe kemi qenë fizikisht. Ka pasur propozime dhe kanë shkuar me ngutime dhe janë mbajtur takime dhe shumë pak janë marrë për bazë këto rekomandime”.
“Duhet te na jepet shanca dhe te bashkëpunojmë dhe të komunikojmë me KGjK dhe KPK. Mos dëgjimi i Odës së Avokatë na kanë sjellë në këtë gjendje por që nuk do të thotë se nuk mund ta rregullojmë këtë Projekt-Kod”.
Ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë Ardian Bajraktari, theksoi se shumica e çështjeve që u diskutuan në këtë takim, janë shqyrtuar nga grupi punues i udhehequr nga ky dikaster.
Po ashtu theksoi se MD është shumë e interesuar që kodi i Procedures Penale të procedohet tutje sa më parë, për çka shpehu gatishmërinë që në cilësi të sponzorizuesit të japin kontributin, por edhe sqarimet e nevojshme në lidhje me secilën çështje të ngritur nga palet e interesuara.