Koeficienti dëshpërues i pagave, Krasniqi ia kujton Kurtit deklaratën “t’ia rrisësh pagën vetes është hajni”

Prishtinë | 01 Shk 2023 | 20:06 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar për koeficientin e pagave, derisa ka thënë se Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dhënë edhe një goditje qytetarëve të Kosovës që punojnë në sektorin publik.

Krasniqi ia ka kujtuar deklaratën Kurtit në opozitë, i cili thoshte “t’ia rrisësh pagën vetes është hajni, është vjedhje”.

“’T’ia rrisësh pagën vetes është hajni, është vjedhje’ – thoshte Kryeministri Kurti me 1 mars të vitit 2018. Ndërsa sot, ai rriti pagën e tij në 1785 euro. Pra sipas gjuhës së tij, ai bëri vjedhje”, deklaroi Krasniqi.

“Ajo që po proklamohet si rritje, në fakt është manipulim dhe lojë fjalësh. Ku thirren në rritje, nuk ka kujdestari, shujta, meditje, bonuse dhe ka mashtrime të krahasimeve bruto dhe neto. Ku nuk ka rritje, ka zbritje të ndjeshme dhe degradim të profesioneve e pozitave të rëndësishme të shtetit”, ka deklaruar ndër të tjera Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka paralajmëruar se “sonte është vetëm nata e parë e një realiteti të ri e të dhimbshëm”.

Të ngjashme