Titulli “Koferi i Konicës” i referohet arbitraritetit vlerësues të Faik Konicës, i cili themeloi kritikën shqipe. Konica, duke qenë i familjarizuar me letërsinë moderne në botë, vriste mendjen shpesh se si do të mundë të bëhej letërsia shqipe pjesë e letërsisë evropiane, apo edhe botërore. Lexonte, analizonte, selektonte, por nuk mund ta mbushte as një kofer të vogël me libra, që do t’i bënin ballë vlerësimit të tij krahasues.
Qëllimi i Konicës ishte t’i gjente ato vepra shqipe që mund të lexoheshin edhe në kohën e tij nga njerëz me kulturë si të tij. Si kritik që shquhej për një kulturë më të madhe se ajo e shkrimtarëve të cilët i kritikonte, ai nuk e gjente kënaqësinë e leximit në veprat shqipe për shkak të shijes së formuar nga kryeveprat botërore, të cilat i merrte si pika krahasimi për ta kuptuar se ku jemi ne, shkruan sot Ag Apolloni në Koha Ditore.
Diçka të ngjashme për nga arbitrariteti, në letërsinë botërore e ka bërë Ezra Pound, i cili, duke provuar të gjejë fondin e artë të letërsisë botërore, nga gjithë letërsia greke sugjeronte të lexoheshin vetëm epet e Homerit dhe nja pesë-gjashtë faqe të Safos, nga letërsia romake vetëm pak prej Ovidit, nga Mesjeta ndonjë ep dhe ndonjë poezi trubadurësh, nga italianët nja tetëmbëdhjetë poezi të Kavalkantit dhe “Komedia hyjnore” e Dantes, kurse për letërsinë angleze thoshte se librat më të mirë të saj janë përkthimet.