Vendosja e taksës 100% ndaj produkteve serbe, pa objektivë konkrete dhe të matshme nga Qeveria e Kosovës, prodhoi rezultatin i cili gradualisht sjellë situatën për të cilën jemi të alarmuar tash e disa muaj, fillimin e ndarjes efektive të katër komunave të veriut të vendit nga Kosova.
Vendimi i para shtatë viteve për reciprocitet me Serbinë dhe Bosnjën, kishte një objektivë të qartë, njohjen e vulave të doganave të Kosovës nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Pas 50 ditë të reciprocitetit, Serbia dhe Bosnja u bindën të njohin vulat e Kosovës dhe masa e reciprocitetit u hoq.
Dallimi kësaj radhe ishte se taksa nuk e kërkoi specifikisht një marrëveshje të zbatohej ose nje synim të arrihej. Të deklarosh sikur deklaroi kryeministri, se kushti është njohja e Kosovës nga Serbia, është po aq naive sa pritja për mundësinë e mbajtjes së taksës pa limit kohor.
Në situate krize kuptohet potenciali i shtetit për të dale nga kriza, apo për të thelluar atë.
Me fjalë të tjera, a jemi 100% shtet, e kuptojmë sonte dhe ditëve në vijim, varësisht si do të menaxhojmë me krizën e re.
Qeveria e Kosovës nëse e konsideron dhe e e planifikon veriun e vendit si pjesë të saj, sot duhet të mbajë mbledhje urgjente dhe duhet të intensifikojë bisedat me përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës.
Sot patriotizmi i vendimmarrjes do të shihet në mbajtjen e Kosovës një shtet në kufijtë aktualë dhe me funksionalitet të plotë.
Në të njëjtën kohë duhet të fillohet një proces aktiv i diskutimit dhe vendimit për një ri-strukturim të plotë të dialogut Kosovë – Serbi dhe vendosja e afateve të qarta për marrëveshjet të cilat synohen të arrihen.
Kosova është në udhëkryq delikat. Kah do t’ia mbajmë do të definohet në ditët në vijim, por gjithsesi është vendim që duhet t’a sjellim vetë ne Kosovarët.