Kolbinger, femra e parë që fitoi garën më të vështirë të çiklizmit

Prishtinë | 07 Gus 2019 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Fiona Kolbinger, një 24-vjeçare nga Gjermania që merret me hulumtime të sëmundjes së kancerit, ka bërë histori të martën, duke u bërë femra e parë që ka fituar garën më të vështirë të çiklizmit.

Duke garuar në garën e saj të parë të qëndrueshmërisë, Kolbinger shënoi fitore në edicionin e shtatë të garës Transkontinentale, pasi dominoi konkurrencën nga fillimi deri në fund.

Në një konkurrencë, ku vetëm 40 nga 265 pjesëmarrës ishin femra, Kolbinger tregoi qëndrueshmëri të jashtëzakonshme duke ngadhënjyer. Gara e gjatë 4.000 kilometra kishte përfshirë shtigjet nëpër Austri, Bullgari, Bosnjë, Kroaci, Francë, Itali, Kosovë, Serbi, Slloveni dhe Zvicër, shkruan CNN, transmeton “Koha Ditore”.

“Unë jam shumë e befasuar që kam triumfuar. Unë kam menduar se mund të futem në podium, por kurrë nuk kam menduar se mund të triumfoj në të gjithë garën. Mendoj se kam mundur të jem edhe më e fortë. Kam munduar të bëj edhe më pak gjumë se që kam bërë”, ka thënë Kolbinger.

Kolbinger, që nisi garën nga Burgasi i Bullgarisë më 27 korrik, e mbylli atë në Brest, në veriperëndim të Francës të martën në orën 7:48 të mëngjesit pas dhjetë ditëve, dy orëve e 48 minutave.

Edhe para se të konfirmohej fitorja e saj, Kolbinger ishte etiketuar si “yll roku” nga fituesi i vitit të kaluar James Hayden.

“Me vite ne kemi pritur këtë, duke e ditur se është e mundur. Më në fund dhe me një hakmarrje, Fiona Kolbinger erdhi. Unë po bëj tifo për të. Yll roku. Çfarë kohe për sportin tonë”, ka shkruar Hayden në “Twitter”.

Një garë me një etapë të vetme, ku çiklistët zgjedhin rrugën e tyre dhe vendosin vetë kur të bëjnë pushime, secili çiklist duhet të arrijë në së paku katër pika të obligueshme kontrolli në rrugën drejt finishit.

Kolbinger, performanca e së cilës është ndjekur nga shumë përcjellës të saj në rrjetet sociale, ka fjetur mesatarisht vetëm katër orë në natë, shumicën e kohës anash rrugës në një thes të madh, sipas uebfaqes zyrtare të garës.

Të ngjashme