Eksplorimi i së kaluarës e ka intriguar çdoherë Ilir Xheladinin, i cili tashmë veçse njihet si një prej koleksionistëve më të përkushtuar të artefakteve që lidhen me historinë shqiptare.
Pikë të dobët e ka heroin kombëtar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, për të cilin ka hulumtuar nëpër arkiva të institucioneve të ndryshme në gjithë botën. Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Xheladini i cili jeton në Zvicër rrëfen sesi ka zënë fill koleksioni i tij që tashmë numëron mbi 100 artefakte të ndryshme.
Po aq të ndryshme sa edhe vendet ku i ka gjetur, datat e rrëfimet që bartin më vete. Më 17 janar, ai u kthye në Prishtinë për ta realizuar një ekspozitë që iu dedikua përvjetorit të 550-të të vdekjes së Skënderbeut. Me këtë udhë, e dha edhe një lajm të rëndësishëm. Koleksionuesi e ka ndërmend që ta themelojë një muze, në të cilin do të ruhet kjo pjesë e rëndësishme e historisë shqiptare
Fillimi me “Atlasin” e 1873-s
“Zanafilla e koleksionit është qëkur isha student, si nevojë e njohjes së historisë sonë e sidomos afirmimit të saj. E para gjë që kam blerë është një ‘Atlas’ që daton nga viti 1873, aty flet për ilirët, për mbretin Gent, harta të ndryshme ku përshkruhen trojet ilire”, ka rrëfyer Xheladini.