Kolektivi “Marshojmë, s’festojmë” me marsh tradicional për 8 Mars – Bën thirrje për barazi dhe drejtësi për gratë

Prishtinë | 08 Mar 2024 | 12:32 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka nisur marshi që organizohet nga kolektivi “Marshojmë, s’festojmë”, për çdo 8 Mars në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me thirrje për barazi dhe drejtësi për gratë.

Përfaqësuese të shoqërisë civile dhe gra të tjera janë mbledhur në Sheshin “Zahir Pajaziti” dhe më pas do të vazhdojnë marshutën nëpër rrugët “Garbialdi”, “Luan Haradinaj”, UÇK, për të përfunduar në Sheshin “Skënderbeu”, para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Në thirrjen e organizatorëve theksohet se “lufta për barazi dhe drejtësi shtrihet nga sferat private të jetës së përditshme deri te kontekstet më të gjëra të padrejtësive publike dhe dhunës sistemike. Këtë vit, ne marshojmë në solidaritet me çdo person që përjeton shtypje, në cilëndo formë të saj”.

Kolektivi “Marshojmë, s’festojmë” ka përmbledhur disa nga padrejtësitë ndaj grave, që sipas tyre, kanë ndodhur në javët e fundit:

  • Kthimin në rigjykim të vrasësve dhe dhunuesve të Marigona Osmanit.
  • Kthimin në rigjykim të vrasësit të Sadije Godenit.
  • Deputetë/e që flasin haptas dhe me krenari kundër të drejtës së grave për të vendosur për trupat e tyre.
  • Shkeljen e privatësisë së grave me shpërndarjen e fotografive intime pa lejen e tyre, dhe ngacmimin e shantazhimin e tyre nga një grup ku bëjnë pjesë qindra mijëra burra.
  • Sulmin publik ndaj një gruaje e cila ndau përvojën e saj si e mbijetuar e dhunës në familje, dhe pastaj me mediat që i ofruan hapësirë abuzuesit të saj.

“Këto nuk janë incidente të izoluara, por fragmente të sistemit patriarkal që arrijnë të bëhen lajm. Pjesën tjetër të këtij realiteti e përjetojmë në përditshmëri, kur përballemi me abuzimin në komunitet, me dhunën në shtëpi, me seksizmin në punë, me ngacmime në rrugë dhe situata të tjera që na thërrasin të qëndrojmë përkrah njana-tjetrës në luftën tonë për çlirim”.

“Këtë 8 mars, marshojmë për të njohur betejat tona të përditshme dhe për të mbrojtur dinjitetin e të gjitha grave dhe vajzave. Marshojmë për çrrënjosjen e shtypjes sistemike, duke njohur lidhjen midis kapitalizmit, patriarkatit, racizmit, kolonializmit, gjenocidit dhe luftës. Marshojmë për të mbijetuarat e dhunës të cilat flasin haptas dhe për ato që jetojnë në heshtje. Për drejtësinë ekonomike të grave që jetojnë në pasiguri, pa pagë e në varfëri. Për të drejtën e grave të verbra në shkollim. Për të drejtën e grave rome, ashkalike dhe egjiptiane për të zënë hapësirën e tyre në diskursin shoqëror. Për njohjen dhe mbrojtjen e grave trans dhe queer. Për gratë Palestineze. Për sigurinë tonë në shtëpitë, vendet e punës, shkollat, universitetet, komunitetet tona. Për njana-tjetrën”.

“Le ta bëjmë këtë marsh dëshmi të forcës që e gjejmë në solidaritet. Le të marshojmë kundër padrejtësive të cilat i përjetojmë çdo ditë”, theksohet në thirrjen e shpërndarë në Facebook.

Të ngjashme