Në fshatrat e Kolonjës rrëzë malit të Gramozit, turizmi i aventurës po krijon hapësira të reja punësimi për banorët e zonës duke mundësuar zhvillimin e bizneseve të vogla familjare.
Kur katër francezë mbërritën në Rehovë të Kolonjës tre vjet të shkuara, banorët i pritën me drojë pa e ditur se ajo vizitë do të hapte dyert e shtëpive të tyre për turistët e huaj. Fshati i ndërtuar shekuj më parë rrëzë malit të Gramozit, me shtëpitë karakteristike prej guri të bardhë dhe këmbanoret e kishave që lartohen mbi to nuk ishte shkelur më parë nga të huajt-por historia ka ndryshuar rrënjësisht gjatë tre viteve të fundit.
Në sheshin kryesor të fshatit pranë kishës së Shën Kollit, Koço Thomollari kujton episodin e tre viteve më parë, që e nxiti të përfshihej më pas në sipërmarrjen e turizmit familjar.
“Më kontaktoi një miku im, pasi donte të sillte 4 turistë francezë. Deri atëherë fshati nuk e njihte fjalën turizëm. U tregova pak skeptik atëherë…por i prita si njerëzit e shtëpisë dhe nga ai moment në fshat nisën të vijnë turistë njëri pas tjetrit,” tha Thomollari për BIRN.
Sot familja e Thomollarit pret deri në gjashtë turistë në natë, ndërsa njësoj si ai, edhe shtatë familje të tjera kanë hapur dyert për turistët e huaj, numri i të cilëve rritet nga viti në vit.
Fshati i Rehovës është i pari në Kolonjë që ka pasur rrjet kanalizimesh dhe ujësjellës prej shekullit të kaluar, pasi banorët e tij njihen si gurpunues të zotë dhe ustallarë të mirë. Fshati nuk i ka shpëtuar fenomenit të braktisjes nga të rinjtë, të cilët prej vitesh kanë gjetur si zgjidhje emigracionin. Megjithatë, rritja e numrit të turistëve të huaj po hap një perspektivë të re për banorët e zonës.
Ngjallja e turizmit në fshatin e Rehovës përkon me një trend në rritje për të gjithë bashkinë e Kolonjës. Afërsia me Greqinë dhe Maqedoninë si dhe natyra e virgjër dhe pak e eksploruar e kësaj zone po tërheqin gjithnjë e më shumë çiklistë, alpinistë dhe turistë të aventurës.
Rruga Korçë-Ersekë, një pjesë e së cilës është në rikonstruksion e sipër është e populluar çdo ditë nga çiklistë që vijnë nga vende të ndryshme të Europës, e që më biçikletat e tyre ngjisin me vështirësi Qafën e Qarrit për t’u lëshuar më pas në rrugën e pjerrët që gjarpëron deri në Ersekë.
Çifti gjerman Wanja Rine, 27 vjeç dhe Jannis Buttlar, 34 vjeç sapo është ngjitur në majë dhe në fytyrat e tyre lexohet dukshëm lodhja fizike. Ata janë nisur mbi biçikletat e tyre nga qyteti Jena i Gjermanisë 1 muaj më parë dhe kanë mbërritur në Kolonjë pasi kanë përshkruar shumicën e vendeve të Ballkanit. Finishi i aventurës së tyre është Turqia.
“U njohëm me Kolonjën kur po shihnim guidën…por kur e sheh nga afër është diçka shumë e bukur. Ka hotele të mira, shërbim të mirë dhe pa lukse të tepruara. Ishte bukur që zbuluam këtë vend dhe do t’ia rekomandonim kujtdo që të mos e humbiste,” thonë ata.
Vala e turistëve të aventurës i gjeti fillimisht të papërgatitur banorët e Kolonjës dhe fshatrave të saj. Koço Thomollari tregon se tre vjet më parë në Rehovë, ai i priti turistët francezë njësoj si miqtë e tij. Por kjo eksperiencë e parë krijoi një traditë në shtëpinë e tij.
“Është si të kesh një familje të madhe. Momentet më të veçanta janë ato të vakteve ushqimore, ku pasi bashkëshortja u shtron tryezën ata nuk pranojnë të hanë nëse edhe ne nuk ulemi me ta,” tregon ai.
Bashkëshortja e Koço Thomollarit gatuan gjellë nga më të ndryshmet, por bamjet me mish në furrë habisin më shumë turistët e huaj. Ai thotë se në fund, të gjithë mbeten të kënaqur nga ky gatim.
Përveç mikpritjes në shtëpitë e banorëve të Rehovës, turistët e huaj ngjiten deri në majën e malit të Gramozit, ndërsa disa prej djemve të fshatit janë angazhuar tanimë me shoqërimin e tyre. Për banorët të cilët nuk kanë asnjë mundësi më të mirë pune, vizitorët e rinj u kanë krijuar hapësira të mjaftueshme dhe mundësi të reja për zhvillimin e turizmit familjar.
“Turistët e këtij fshati vlerësojnë dy gjëra; mikpritjen dhe alpinizmin në malin e Gramozit. Dhe ne po vazhdojmë t’i presim si njerëzit e shtëpisë,” përfundon Koço Thomollari.