Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, prit sot, në mjediset e ministrisë, me ceremoni ushtarake shefin e Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, gjeneral Eberhard Zorn.
Gjeneral Rama dhe gjenerali Zorn si bashku me delegacionet e tyre zhvilluan një takim të përbashkët, ku diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, përkatësisht Ministrisë së FSK-së dhe FSK-së me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Gjermanisë.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së duke e falënderuar shefin e Mbrojtjes së Gjermanisë për kontributin e Gjermanisë në kuadër të KFOR-it, si shtet anëtar i NATO-s, u shpreh se Ministria për FSK dhe FSK-ja, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit, kanë marrëdhënie shumë të mira me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Gjermanisë dhe se këto marrëdhënie do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, u shpreh gjeneral Rama.
Gjeneral Rama më tutje e njoftoi homologun gjerman, gjeneralin Zorn, mbi kapacitetet ekzistuese, aktivitetet në të mirë të qytetarëve, integrimin e komuniteteve, planet zhvillimore dhe me theks të veçantë mbi procesin e tranzicionit të FSK-së, fazën në të cilën aktualisht ndodhet dhe transparencën e këtij procesi, duke shprehur zotimin se Kosova po synon të ndërtojë një forcë me mision dhe detyra të reja, e cila do të jetë fleksibile, shumetnike, e dobishme për sigurinë në vend dhe më gjerë, dhe se kjo do të bëhet në një transparencë të plotë me faktorin vendor, ndërkombëtar dhe aleatët strategjikë, duke përfshirë këtu si partner edhe Republikën Federale Gjermane.
I pari i FSK-së, gjeneral Rama më tej tha se “ne jemi të vendosur të zbatojmë planin mbi tranzicionin e Forcës dhe se edhe më tutje do të punojmë ngushtë me faktorin vendor dhe ndërkombëtar me qëllim që si vend të jemi të përgatitur të kontribuojmë për paqen jo vetëm në vend por edhe në rajon e më gjerë”.
Nga ana e tij, shefi i Mbrojtjes i Republikës Federale Gjermane nënvizoi se “Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Gjermanisë janë të vendosura që bashkëpunimin bilateral me Kosovën, përkatësisht me MFSK-në dhe FSK-në ta vazhdojnë dhe intensifikojnë edhe në të ardhmen”.