Komandanti i KFOR-it: Veç një zgjidhje politike Kosovë-Serbi mund të sjellë paqe e stabilitet të pakthyeshëm

Prishtinë | 20 Sht 2023 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, komandanti i misionit të KFOR-it në Kosovë u takua dje në Beograd me Milan Mojsiloviq, shefin e shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe.

KFOR-i ka njoftuar se “ata diskutuan për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rëndësinë e ndërveprimit dhe bashkëpunimit efektiv ndërmjet komandantit të KFOR-it dhe shefit të mbrojtjes serbe”.

Gjeneralmajor Ristuccia në kryqytetin serb zhvilloi edhe një takim me ambasadorët e BE-së dhe të QUINT-it, të organizuar nga ambasadori italian, Luca Gori. “Ambasadorët shprehën vlerësimin e tyre për punën jetike të KFOR-it në ndërtimin e një mjedisi të sigurt dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes në Kosovë për të gjitha komunitetet, bazuar në mandatin e tij të OKB-së”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Komandanti iu drejtua publikut në një konferencë për media, ku foli edhe për rëndësinë e një zgjidhjeje politike mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta Express.

“Vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë një paqe dhe stabilitet të pakthyeshëm në zonë. Kjo është arsyeja pse NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha gjeneralmajor Ristuccia.

Ai foli edhe se si mandati i KFOR-it u karakterizua me “menaxhim të përhershëm të krizës”, duke theksuar se “sulmet e paprovokuara ndaj trupave të NATO-s në veri të Kosovës më 29 maj 2023 paraqesin momentin më të madh të tensionit në dekadën e fundit”.

Të ngjashme